Dr. Ilir Shabani

Që në moshën e hershme mjekësia ka qenë dashuria ime e parë.Kur isha fëmije e vizitoja nënën e cila ishte motër medicinale, në vendin e punës, në ambulantën e fshatit ku ajo punonte. Aty shikoja se si mjeku dhe personeli mjekësor me përkushtim kujdeseshin per njerëzit e sëmure dhe në nevojë.
Prej atëherë i premtova vetes se do të jap maksimumin që në një të ardhme edhe unë të bëhem si ai njeriu human me mantel të bardhë – ashtu e quaja unë mjekun e fshatit. Që t’ia arrij qëllimit gjithmonë jam shoqëruar me librat e mjekësisë. Studimet nuk kanë qenë aspak të lehta mirëpo me një punë të palodhshme e me vullnet dhe entuziazëm arrita atë që gjithmonë e kam dashur.
Dita kur unë diplomova ishte dita më e lumtur në jetën time, por aspirata ime ishte të ngritem edhe më lart dhe doja të specializoj ndonjë degë të mjekesisë dhe e zgjodha ortopedinë. Arsyet pse e zgjodha këtë degë ishin të shumta, por kryesorja ishte se shpesh shihja rreth meje njerez me invaliditet në ekstremitete dhe doja që duke i operuar, me duart e mia t’ua lehtësoj jetën atyre. Edhe pse kjo punë kërkon shumë përkushtim, studim si dhe ka shumë lodhje si fizike ashtu edhe mendore jam i lumtur që e punoj këtë profesion sepse kam mundësi t’u ndihmoj njerëzve të cilët ma lënë në duart e mia gjënë më të vlefshme – shëndetin e tyre, dhe kur shoh që si rezultat i operacionit tim ata i kthehen jetës normale pa pengesa, kjo gjë më jep vullnetin të vazhdoj më tutje perpara.

Сподели на: