MEXhITI: ËSHTË HAPUR OBJEKTI I RI NË SPITALIN PSIKIATRIK SHKUP

Mexhiti: Është hapur objekti i ri në Spitalin Psikiatrik Shkup

Pas më shumë se një dekade, ka përfunduar një nga projektet më të rëndësishme në shëndetësi në vendin tonë, theksoi ministri i Shëndetësisë, Dr. Fatmir Mexhiti, sot gjatë përurimit të hapjes së objektit të ri, në ISHP Spitalin Psikiatrik Shkup, i cili ka filluar me punë.

“Diçka që prej vitesh pritej që të përfundojë, më në fund sot fillon të funksionojë. Spitali i ri është i pajisur me pajisje bashkëkohore, sipas standardeve ndërkombëtare dhe kam besim se kushtet e reja të punës do të kontribuojnë në një entuziazëm më të madh dhe më shumë energji të personelit shëndetësor dhe joshëndetësor në punën e tyre të përditshme”- theksoi Mexhiti.

Ministri Mexhiti informoi se kapaciteti i objektit të ri është me 68 shtretër spitalor dhe se aty ndodhet Reparti i trajtimit dhe rehabilitimit të pacientëve për shkak të alkoolizmit, si dhe do të përkujdeset për pacientët që kanë nevojë për trajtim të zgjatur, rehabilitim dhe risocializim të pacientëve me shëndet mendor të dëmtuar. Një pjesë e objektit është repart i brendshëm, i destinuar për trajtimin e pacientëve me çrregullime mendore dhe probleme në shëndetin somatik.

“Pas 13 vitesh pacientët do të shtrohen në bllokun e ri të Spitalit Psikiatrik. Përveç dhomave të spitalit, objekti është i pajisur me të gjitha dhomat e nevojshme sanitare dhe paisje të tjera ndihmëse për akomodimin e duhur dhe jetën e përditshme spitalore të pacientëve”- theksoi Mexhiti.

Mexhiti theksoi se me marrjen e postit të ministrit të Shëndetësisë, përkushtohen çdo ditë me ekipin e tij për realizimin e një sistemi më të mirë shëndetësor publik, siç është lirimi i projekteve të ngecura me dekada, prokurimi i terapisë bashkëkohore, pajisja dhe rinovimin e objekteve shëndetësore. Ai theksoi se në këtë mënyrë tregohet se fokusi është në shëndetin e qytetarëve, si dhe në zhvillimin e shëndetësisë bashkëkohore.

Сподели на:

Related Posts