EN
MK
AL

MINISTËR

Sasho Klekovski

Sasho Klekovski

Ministër në Ministria e shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Ka lindur më 13 prill 1966 në Shkup. Ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe ka përfunduar programin MBA në Universitetin “American College” – Shkup (UACS). Është i martuar me Anën dhe ka dy fëmijë, Angelinën dhe Nikollën.

Ka tridhjetë vjet përvojë si menaxher, analist dhe konsulent në sektorin publik, civil dhe privat.

Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë ka qenë drejtues i Lidhjes së Studentëve të Mjekësisë të Maqedonisë dhe i Lidhjes së Studentëve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.

Në vitin 1993 ishte njëri nga themeluesit e Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS), ndërsa nga viti 1994 deri në vitin 2011 shërbeu si drejtor ekzekutiv i saj. Nga viti 1998 deri në vitin 2008 drejtoi Fondacionin Maqedonas për Zhvillimin e Ndërmarrjeve (MRFP), ndërsa nga viti 2017 deri në vitin 2026 ishte kryetar i Bordit të Besuarve të MRFP-së.

Nga korriku i vitit 2024 deri në korrik të vitit 2026 ishte drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë (FSSHM).

Është themelues dhe anëtar i organeve drejtuese të disa organizatave të shoqërisë civile. Ishte bashkëkryetari i parë i Komitetit të Përbashkët Konsultativ të Shoqërisë Civile ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë (2007–2010), si dhe ligjërues i Financave Sipërmarrëse në studimet MBA në UACS (2013–2016). Nga viti 2022 deri në vitin 2026 ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, ndërsa aktualisht është kryetar i Komisionit për Shëndetësi.

Në sektorin publik ka marrë pjesë në përgatitjen e strategjive kryesore kombëtare, ndër të cilat Strategjia e parë e Qeverisë për Bashkëpunim me Sektorin Civil (2007–2011) dhe Programi i parë Shtetëror për Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit (2007–2011). Gjithashtu, ka kontribuar në fuqizimin e kapaciteteve të Avokatit të Popullit dhe të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Në sektorin privat ka punuar në analiza strategjike, përfshirë Indeksin e Burokracisë (2020–2021), si dhe ka qenë konsulent për ristrukturim.

Ka përvojë pune edhe jashtë Maqedonisë, në Ballkan, në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në Bashkimin Evropian.

Është autor i disa raporteve kërkimore, librave dhe artikujve. Nga viti 2012 deri në vitin 2024 ka qenë kolumnist në gazetën Nova Makedonija.

Accessibility Menu