EN
MK
AL

SEEHN – Rrjeti Shëndetësor i Evropës Juglindore

 

SEEHN është një rrjet qeveritar për shëndetin publik i përbërë nga dhjetë shtete anëtare (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Izraeli, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Republika e Maqedonisë) dhe partnerët e tyre (shtete dhe organizata ndërkombëtare qeveritare dhe joqeveritare).

 

 

Sfondi, ngjarje themelore

Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore u lançua në vitin 1999 si strategjia e parë gjithëpërfshirëse për parandalimin e konflikteve nga komuniteti ndërkombëtar, me qëllim forcimin e përpjekjeve të vendeve të Evropës Juglindore për nxitjen e paqes, demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe prosperitetit ekonomik. Shëndetësia u shtua në agjendën e Nismës për Kohezion Social të Paktit të Stabilitetit në maj 2001 (Tavolina e Punës 2: Rindërtimi ekonomik, Bashkëpunimi dhe Zhvillimi).

Pak më vonë, Pakti i Stabilitetit u shndërrua në organizatën e tij pasuese, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal. Kjo strukturë e re u krijua rreth përparësive të përcaktuara nga vetë rajoni dhe u lançua zyrtarisht në sesionin e përbashkët të tryezës përfundimtare rajonale të Paktit të Stabilitetit dhe takimit inaugures të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal në Sofje, më 27 shkurt 2008, me angazhimin dhe mbështetjen e plotë të vendeve të Evropës Juglindore, vendeve donatore dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, si Komisioni Evropian.

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal trashëgoi mandatin e Paktit të Stabilitetit për të mbikëqyrur proceset e bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe për të mbështetur integrimin evropian dhe euroatlantik të rajonit.

Forumi i Parë Ministror i Evropës Juglindore u organizua në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, si dhe Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore në Dubrovnik, në vitin 2001. Forumi i Dytë Ministror u mbajt në Shkup në vitin 2005, dhe Forumi i Tretë Ministror në Banja Luka në vitin 2011, që përfaqësojnë tri kapituj të një dekade bashkëpunimi rajonal në shëndetësi publike në rajonin e Evropës Juglindore, duke shërbyer si një mjet diplomacie shëndetësore për të arritur dhe ruajtur paqen dhe stabilitetin, zhvillimin ekonomik të mëtejshëm dhe një hapësirë për veprim në shëndetin publik për të arritur qëllimin përfundimtar: veprim i tërë qeverisë për shëndetin dhe përmes shëndetit, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e proceseve të integrimit evropian të vendeve të Evropës Juglindore.

Angazhimi i Dubrovnikut, 2001: Rindërtimi i paqes dhe stabilitetit

Forumi i Parë Ministror për Evropën Juglindore në Dubrovnik, në vitin 2001, miratoi Angazhimin e Dubrovnikut. Ai përfaqësonte një zotim për të përmbushur nevojat shëndetësore të popullatave të cenueshme, veçanërisht të rëndësishme në fillim të trazirave politike në rajon. Ministrat e shëndetësisë theksuan: “e pranojmë sfidën për të luajtur një rol kyç në forcimin e të drejtave themelore të njeriut në shoqëritë tona dhe për popullatat dhe individët tanë të cenueshëm për kujdes të efektshëm shëndetësor, mirëqenie sociale dhe zhvillim njerëzor, në përputhje me parimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Këshillit të Evropës” (Angazhimi i Dubrovnikut, 2001). U krijua një mekanizëm i ri për të siguruar zbatimin e angazhimit dhe projekteve rajonale në kuadër të tij: SEEHN. Vendet anëtare ndërmorën hapat e parë drejt ngritjes së një agjende rajonale të shëndetit në Evropën Juglindore. Në tërësi, Angazhimi i Dubrovnikut dhe krijimi i SEEHN përbëjnë aleancën e parë politike ndërkufitare në fushën e shëndetit në rajon dhe konsiderohen si një arritje e madhe politike për paqen dhe bashkëpunimin, duke e bërë shëndetin gurthemel të Nismës për Kohezion Social të Paktit të Stabilitetit. Ky kapitull i zhvillimit nënrajonal iu dedikua shërimit pas konfliktit dhe rindërtimit të besimit; projekti më i shquar dhe i pari që SEEHN nisi ishte projekti për forcimin e shëndetit mendor në komunitetet pas krizës.

 

Aspiratat dhe qëllimet e Angazhimit të Dubrovnikut u rikonfirmuan në Forumin e Dytë të Ministrave të Shëndetësisë mbi Shëndetin dhe Zhvillimin Ekonomik në Evropën Juglindore në shekullin XXI (2005). Forumi kulmoi me miratimin e Angazhimit të Shkupit, i cili konfirmoi përkushtimin e qeverive të nëntë vendeve anëtare për të treguar potencialin ekonomik të shëndetit si një mjet për të rritur produktivitetin dhe për të ulur shpenzimet publike për sëmundjet, dhe për të marrë përgjegjësi të plotë për bashkëpunimin rajonal nëpërmjet punës së mëtejshme në fusha teknike që i shërbejnë këtij qëllimi (siguria ushqimore, siguria e gjakut, akreditimi i institucioneve shëndetësore, burimet njerëzore për shëndetësi, forcimi i shërbimeve të shëndetit publik).

Ndërmjet dy Forumeve (2005 dhe 2011), procesi i krijimit të pronësisë rajonale bëri hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit të strukturave të qeverisjes rajonale për shëndetësi:

  • Nënshkrimi i dokumentit të madh politik të SEEHN në vitin 2008: Memorandumi i Mirëkuptimit për të Ardhmen e Rrjetit të Shëndetësisë në Evropën Juglindore në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (2008 e në vazhdim)

  • Krijimi i sekretariatit rajonal dhe i Qendrave Rajonale për Zhvillimin e Shëndetësisë që shënuan transferimin e pronësisë. Ato janë trashëgimi e përhershme e projekteve të zbatuara nën SEEHN gjatë viteve të kaluara, pasi ato transformuan projektet teknike në programe afatgjata të bashkëpunimit rajonal në shëndetësi publike.

  • Dokumenti i parë ligjërisht detyrues u nënshkrua në vitin 2010: Marrëveshja e Pritës për vendosjen e Sekretariatit të SEEHN.

Angazhimi i Banja Lukës (2011): Rruga përpara

Forumi Ministror i Banja Lukës në vitin 2011 miratoi Angazhimin e Banja Lukës që synon nxitjen e një dekade të bashkëpunimit të qëndrueshëm në Evropën Juglindore, duke përqendruar veprimin e mëtejshëm të SEEHN në veprimet gjithëqeveritare për shëndetin dhe përmes shëndetit drejt integrimit të plotë evropian dhe zgjerimit të mëtejshëm të partneriteteve në shëndetin publik. U vendos Strategjia e SEEHN për periudhën 2011-2015.

SEEHN ka vazhduar të krijojë një aleancë të fuqishme për forcimin e shëndetit publik, duke nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi me partnerët kryesorë.

SEEHN vendosi të hapë procesin e zgjerimit përtej kufijve politikë, historikë dhe gjeografikë të themelimit të saj, dhe si rezultat, ndryshoi dokumentet e saj politike dhe ligjore dhe pranoi aplikimin e Izraelit për anëtarësi të plotë, duke e bërë atë shtetin e dhjetë anëtar.

“Të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve anëtare të SEEHN përmes përmirësimit të shëndetit të popullatave të tyre përmes bashkëpunimit më të mirë dhe më intensiv, integrimit, ndërtimit të kapaciteteve dhe koordinimit në shëndetin publik në nivel rajonal. Kjo përfshin mbështetjen e reformës së sistemeve të tyre kombëtare shëndetësore dhe kontribuimin në zhvillimin ekonomik dhe social.”

Nga “Një dekadë bashkëpunimi rajonal në shëndetin publik në Evropën Juglindore – Një histori suksesi partneriteti”

Bashkëpunimi nën-rajonal në shëndetin publik në Evropën Juglindore funksionon në nivel politik dhe teknik. Forumet Ministrore dhe seancat plenare të SEEHN-it, të përbëra nga Koordinatorët Kombëtarë të Shëndetit, një për secilin shtet anëtar, përfaqësojnë nivelin politik. Ndërsa Forumet Ministrore kanë rolin të formësojnë/ vendosin politikën e bashkëpunimit nën-rajonal në shëndetin publik në Evropën Juglindore për një periudhë katërvjeçare, SEEHN operon si një komitet i përhershëm i forumit dhe zbaton ato politika katërvjeçare (nga një forum në tjetrin).

Komiteti Ekzekutiv i SEEHN-it drejton punën e SEEHN-it ndërmjet seancave plenare të cilat mbahen dy herë në vit, nga vendi që ka Presidencën (secili mandat prej gjashtë muajsh). Presidenca krijon një Hartë Rrugore për SEEHN për mandatin e saj dhe e zbatoi atë me mbështetjen e Komitetit Ekzekutiv dhe Sekretariatit të SEEHN-it. Presidencat ndryshojnë sipas rendit alfabetik.

Bashkëpunimi teknik organizohet përmes krijimit të Qendrave Rajonale për Zhvillimin e Shëndetit, secila për një fushë specifike teknike të përcaktuar nga vendet anëtare.

1.Ruajtja dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal në shëndetin publik

  • SEEHN përqendrohet në lidhjen dhe punën së bashku
  • SEEHN është bërë një forum rajonal për zhvillimin e një qasje moderne ndaj shëndetit publik
  • SEEHN është një mekanizëm për pjesëmarrje në proceset evropiane të sektorit shëndetësor
  • SEEHN është bërë mjeti kryesor për iniciativat rajonale të mëdha në shëndetin publik në Evropën Juglindore

2.Arritja e barazisë dhe përgjegjshmërisë në shëndet përmes qasjes “Shëndeti në të gjitha politikat” (HiAP)

3.Forcimi i kapaciteteve dhe shërbimeve të shëndetit publik për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve jo ngjitëse (përputhja e planit të veprimit evropian me atë të SEEHN për sëmundjet jo ngjitëse)

1. Ruajtja dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal në shëndetin publik

  • Vazhdimi i bashkëpunimit dhe koordinimit në shëndetin publik pas vitit 2011

  • Ndërtimi i mëtejshëm i kapaciteteve të resurseve ekzistuese institucionale, njerëzore dhe të dijes në Evropën Juglindore

  • Konsolidimi i mëtejshëm i aleancës SEEHN në shëndetin publik, duke promovuar dhe siguruar anëtarësi dhe partneritete të reja dhe duke zbatuar plotësisht detyrimet e përcaktuara në dokumentet e nënshkruara të SEEHN

2. Arritja e barazisë dhe përgjegjshmërisë në shëndet përmes HiAP

  • Kuadër më të gjerë politikash dhe legjislacion për HiAP

  • Studime dhe kërkime mbi përvojat e HiAP për të pasur prova për debat dhe avokim

  • Projektimi i treguesve dhe metodologjive për zhvillimin, monitorimin dhe vlerësimin e HiAP

  • Trajnime për HiAP për ekipet e shëndetit publik dhe vendim-marrësit

  • Mundësi shkëmbimi për përvojat aktuale midis vendeve

  • Avokim dhe informim për vendim-marrësit, për t’u siguruar atyre prova të mjaftueshme për përfitimet e veprimeve ndërsektorale për shëndetin e popullatës

  • Partneritete dhe aleanca të forta midis sektorëve – për të zhvilluar argumente specifike dhe bindëse për sektorët e tjerë

3. Forcimi i kapaciteteve dhe shërbimeve të shëndetit publik për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve jo ngjitëse (NCD)

  • Ndërtimi i kapaciteteve të profesionistëve të shëndetit dhe shëndetit publik

  • Ndryshimi i perceptimeve për shëndetin publik në sektorë të tjerë (bujqësi, industri ushqimore, mjedis etj.), politikanë dhe shoqëri civile, dhe përfshirja e tyre

  • Vendosja e sistemit të informacionit për monitorimin e trendeve të NCD-ve dhe ndikimin e masave të ndryshme, duke përfshirë edhe barazinë në ofrimin e shërbimeve të shëndetit publik

  • Rritja e kapaciteteve për monitorim, analizë dhe vlerësim të situatës shëndetësore, politikave dhe aktiviteteve të shëndetit publik

  • Përfshirja e shkencave të ndryshimit të sjelljes në shëndetin publik

  • Zhvillimi i burimeve të qëndrueshme të financimit

  • Bashkëpunim, koordinim dhe komunikim më të mirë brenda SEEHN

Accessibility Menu