Ministria e Shëndetësisë krijon një bazë elektronike të mjekëve që aktualisht punojnë ose specializohen jashtë vendit, me qëllim:
· të vendosë një kanal të drejtpërdrejtë bashkëpunimi profesional me diasporën;
· të hartëzojë profilet, specialitetet dhe ekspertizat që mund të kontribuojnë në sistemin shëndetësor kombëtar;
· të mundësojë përfshirjen në angazhime afatshkurtra, vizita profesionale, trajnime, mentorim, konsultime ose mbështetje në projekte, sipas nevojave të institucioneve dhe programeve për vitin 2026 dhe më tej.
E rëndësishme: Kjo thirrje nuk përbën shpallje për punësim të rregullt. Aplikimi nënkupton shprehje interesi për forma të mundshme bashkëpunimi, në rast të një nevoje konkrete.
Kush mund të aplikojë?
· Mjekë të punësuar jashtë vendit (spitale, klinika, institucione të tjera shëndetësore).
· Mjekë në specializim/supspecializim jashtë vendit.
· Mjekë në institucione akademike/kërkimore ose organizata të shëndetit publik jashtë vendit.
Si të aplikoni?
Aplikimi bëhet ekskluzivisht përmes modulit elektronik në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Pas aplikimit, Ministria e Shëndetësisë do të kontaktojë aplikantët vetëm kur të ekzistojë një program/nevojë konkrete që përputhet me profilin e ofruar profesional (trajnim, mbështetje ekspertize, sesion online, etj.).