EN
MK
AL

Shëndetësi që mban mend, ndërlidh dhe mëson

Shëndetësi që mban mend, ndërlidh dhe mëson

 

Strategjia Digjitale e Shëndetësisë 2026–2030 po hyn në fazën përfundimtare, me ç’rast shteti dhe qytetarët për herë të parë do të marrin një dokument themelor që do ta vendosë arkitekturën e re të sistemit shëndetësor: të ndërlidhur, të sigurt, transparent dhe të harmonizuar me standardet evropiane. Softuerët, aplikacionet dhe zgjidhjet teknike kombëtare janë vetëm një segment që do ta lehtësojë realizimin e objektivave të strategjisë për kujdes më të mirë shëndetësor, vendime më të sigurta, institucione shëndetësore më të fuqishme dhe besim më të madh ndërmjet pacientit, mjekut dhe sistemit.

 

Në shëndetësi, informacioni ka vlerë jetike, sepse mund të nënkuptojë diagnozë më të shpejtë, terapi më të mirë, shmangie të gabimeve, rrugë më të shkurtër deri te specialisti, barrë më të vogël administrative dhe siguri më të madhe për pacientin. Kur të dhënat shëndetësore janë të fragmentuara dhe të shpërndara në më shumë sisteme ose nënsisteme, atëherë edhe kujdesi bëhet i fragmentuar dhe difuz. Ose në mënyrë ilustrative, kur mjeku sheh vetëm një pjesë të historisë mjekësore, vendimi i tij merret mbi një pasqyrë të paplotë dhe të pamjaftueshme. Prandaj transformimi digjital duhet të kuptohet si reformë thelbësore shëndetësore përmes së cilës vendimet do të merren mbi bazë të të dhënave (data-driven decision), e jo si një proces teknik dytësor.

 

Sistemi ynë shëndetësor tashmë ka vendosur themele të rëndësishme digjitale. “Termini im”, referimet elektronike, recetat elektronike, modulet e telemjekësisë, shërbimet digjitale dhe sistemet ekzistuese informative tregojnë se sistemi publik shëndetësor ka kapacitet të modernizohet edhe më shumë dhe edhe më thellësisht. Sistemin po e çojmë drejt një faze të re, më të pjekur: të gjitha këto sisteme të lidhen në një ekosistem funksional, në të cilin pacienti do të lëvizë nëpër sistemin shëndetësor si në një tërësi të vetme, e jo si dikush që vazhdimisht e bart dokumentacionin e vet mjekësor nga sporteli në sportel, nga mjeku te mjeku, nga institucioni në institucion.

 

Një nga konceptet kyçe në këtë strategji është ndërlidhja. Në gjuhën teknike kjo quhet interoperabilitet, por në jetën e përditshme kjo do të thotë se sistemi shëndetësor nuk do të jetë një ishull i izoluar, por pjesë e një infrastrukture shtetërore të ndërlidhur që u shërben qytetarëve. Rezultati laboratorik, raporti i specialistit, epikriza, terapia, imazhi diagnostikues dhe historia mjekësore do të jenë pjesë e një tërësie shëndetësore të kuptueshme, funksionale, të sigurt dhe të qasshme. E njëjta logjikë vlen edhe për ndërlidhjen me institucionet e tjera, për shembull, kur lind një fëmijë, të dhënat nga institucioni shëndetësor, në përputhje me rregullat ligjore dhe mbrojtjen e të dhënave personale, do të ndahen me kohë me shërbimet amë kompetente, në mënyrë që prindërit më lehtë të marrin certifikatën e lindjes. Kur ndodh vdekja, sistemi duhet të mundësojë që informacioni të arrijë te institucionet kompetente për të lëshuar dokumentacionin e nevojshëm (certifikatën e vdekjes), pa i ekspozuar familjet, në momentet më të vështira, ndaj procedurave administrative të panevojshme fizike. Ky është thelbi i një sistemi modern dhe të digjitalizuar – të dhënat të lëvizin në mënyrë të sigurt ndërmjet institucioneve, ndërsa qytetari të mos detyrohet të lëvizë nëpër korridoret administrative.

 

Kjo është edhe çështje besimi, sepse pacienti ka të drejtë të dijë çfarë përmban dosja e tij shëndetësore, kush ka pasur qasje në të dhënat e tij, për çfarë qëllimi dhe mbi çfarë baze. Të dhënat shëndetësore janë vazhdim i dinjitetit personal të njeriut. Në to janë të regjistruara sëmundja, frika, terapia, shpresa, privatësia dhe besimi. Prandaj proceset e digjitalizimit do të zhvillohen duke integruar edhe elemente që burojnë nga etika, mbrojtja, transparenca dhe të drejtat e pacientit.

 

Qasja e pacientëve në të dhënat e tyre shëndetësore është një nga ndryshimet më të rëndësishme që sjell kjo strategji. Kjo nënkupton mundësinë që qytetari të ketë pasqyrë në dosjen e tij, ta ndjekë historinë e vet shëndetësore, t’i kuptojë të dhënat që sistemi krijon për të dhe të marrë pjesë më aktive në trajtim. Te sëmundjet kronike, parandalimi, skriningu dhe ndjekja afatgjatë, kjo mund të bëjë një dallim të madh. Pacienti i informuar do të bëhet partner në kujdesin për shëndetin e vet.

 

Shëndetësia digjitale do t’u ndihmojë edhe mjekëve, të cilëve u nevojiten më pak pengesa administrative dhe më shumë informacione klinikisht relevante në momentin e duhur. Një sistem elektronik shëndetësor i organizuar mirë do t’u kursejë kohë, do t’i zvogëlojë ose do t’i eliminojë nevojat për përsëritje të procedurave diagnostikuese, duke mundësuar komunikim më të mirë ndërmjet niveleve të ndryshme të mbrojtjes shëndetësore dhe duke krijuar mbështetje më të fortë për vendimmarrje mjekësore. Teknologjia ka vlerë kur e ndihmon mjekun të jetë më i saktë, më i shpejtë dhe më i sigurt në veprimin e tij.

 

Por fuqia e vërtetë e strategjisë qëndron në faktin se ajo e vendos sistemin shëndetësor si një sistem që mëson vazhdimisht. Shëndetësia krijon një sasi të madhe të dhënash çdo ditë – të dhëna të lidhura me sëmundje, rreziqe, terapi, rezultate, dallime rajonale, nevoja të pacientëve dhe kapacitete të institucioneve. Kur këto të dhëna organizohen mirë dhe integrohen në një tërësi, atëherë realisht mund të presim që shteti të zhvillojë kapacitet për të planifikuar më mirë. Përmes këtij kapaciteti të ri sistemor, do të mund të identifikohet më lehtë ku nevojitet prevenim, ku mungon kuadri, ku ka ngecje, cilat programe skriningu duhet të forcohen dhe cilat grupe qytetarësh kanë nevojë për mbështetje të veçantë.

 

Në këtë mënyrë digjitalizimi bëhet edhe mjet sistemor për një shëndetësi më të drejtë, sepse, në aspektin kohor dhe hapësinor, do ta zvogëlojë distancën deri te shërbimi, veçanërisht për qytetarët në zonat rurale, të moshuarit, kategoritë sociale të cenueshme dhe të gjithë ata që më vështirë arrijnë deri te kujdesi specialistik. Telemjekësia, edukimi digjital, shërbimet e qasshme dhe rrugët e qarta të përdoruesit do të jenë pjesë e rëndësishme e një politike më të gjerë të qasjes së barabartë.

 

Dua ta theksoj edhe dimensionin evropian të strategjisë, i cili është veçanërisht i rëndësishëm. Harmonizimi me Hapësirën Evropiane të të Dhënave Shëndetësore do të thotë se po e ndërtojmë sistemin tonë mbi standarde që do të mundësojnë shkëmbim të sigurt të të dhënave, kujdes ndërkufitar, hulumtime më të mira, mbrojtje më të lartë të të drejtave të pacientëve dhe përgjegjësi më të fortë institucionale. Por ky dimension ka edhe një vlerë më të thellë zhvillimore. Të dhënat që sistemi shëndetësor tashmë i krijon, nëse mbrohen siç duhet, deidentifikohen dhe përdoren sipas rregullave të rrepta etike dhe juridike, mund të bëhen bazë për hulumtime shkencore, për zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale dhe për politika shëndetësore më precize. Kjo hap mundësinë që në të ardhmen të kemi programe parandaluese më të orientuara, paketa shëndetësore më të personalizuara dhe kuptim më të thellë për mënyrën se si terapi të caktuara veprojnë te popullata jonë, përfshirë edhe përmes analizave që do t’i marrin parasysh karakteristikat gjenetike, klinike dhe të shëndetit publik të qytetarëve. Vlerat dhe standardet evropiane, prandaj, nuk janë vendosur vetëm si synim, por janë pranuar si metodologji për rend, cilësi, përparim shkencor dhe qëndrueshmëri afatgjatë.

 

Në periudhën deri në vitin 2030, së bashku me digjitalizimin, do të fillojmë edhe me vendosjen e kujdesshme, të rregulluar dhe të përgjegjshme të inteligjencës artificiale në shëndetësi, në përputhje me kriteret e rrepta që i vendos Bashkimi Evropian përmes AI Act. Qasja jonë është që inteligjenca artificiale të jetë mjet mbështetës, e jo zëvendësim për mjekun. Për shembull, gjatë analizës së skriningut për kancerin e gjirit, krahas vlerësimit profesional të dy radiologëve, në të ardhmen do të mund të përdoret edhe një mjet AI si mbështetje shtesë për konfirmim, krahasim dhe saktësi të gjetjeve. Ne besojmë në potencialin e inteligjencës artificiale, por edhe më shumë besojmë në dijen, përvojën dhe përgjegjësinë e mjekëve. Vendimi gjithmonë duhet të mbetet te njeriu – te profesionisti mjekësor që e njeh pacientin, e kupton gjendjen klinike dhe mban përgjegjësinë përfundimtare profesionale dhe etike. Prandaj strategjia vendos një arkitekturë të saktë institucionale: shëndetësia digjitale dhe zbatimi i AI-së do të kenë bartës, kompetenca, rregulla, standarde, buxhet, kuadër, mbikëqyrje dhe mekanizma monitorimi. Reformat mund të japin rezultat të qëndrueshëm vetëm kur ndërtohen në institucione, e jo kur varen nga entuziazmi i individëve.

 

Veçanërisht e rëndësishme është që strategjia e trajton sigurinë si pjesë përbërëse të sigurisë së pacientëve. Mbrojtja e të dhënave shëndetësore, kontrolli i qasjes, gjurma se kush i ka përdorur të dhënat, qëndrueshmëria e sistemeve dhe planet për vazhdimësi janë pjesë e kulturës bashkëkohore shëndetësore, drejt zhvillimit të së cilës synon kjo strategji.

 

Deri në vitin 2030 synimi ynë është të kemi një sistem digjital shëndetësor të ndërlidhur, të sigurt, transparent dhe të harmonizuar me Evropën. Një sistem në të cilin pacienti do të ketë kontroll më të madh mbi të dhënat e veta, mjeku do të ketë mjete më të mira për punë, ndërsa institucionet do të planifikojnë mbi bazë provash.

 

Shëndetësia e së ardhmes do të jetë shëndetësi që kujton, lidh dhe mëson. Por ajo duhet të jetë edhe shëndetësi që e kupton se teknologjia në vetvete nuk është reformë, përkatësisht bëhet reformë vetëm atëherë kur mbushet me besim, etikë, dije dhe përgjegjësi institucionale. Siç paralajmëron Deborah Lupton, teknologjitë digjitale shëndetësore nuk janë mjete neutrale, por “artefakte sociokulturore” – të krijuara nga vendime njerëzore, vlera dhe supozime për trupin, shëndetin, sëmundjen dhe sjelljen (Digital Health: Critical and Cross-Disciplinary Perspectives, 2018). Prandaj strategjia jonë e vendos digjitalizimin si përgjegjësi publike: të dhënat të jenë të mbrojtura, pacienti të respektohet, mjeku të ketë pasqyrë të plotë, ndërsa sistemi ta përdorë teknologjinë për më shumë drejtësi, e jo për pabarazi të reja.

 

Në këtë kuptim, mbështetemi edhe në përkufizimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) se shëndetësia digjitale është përdorimi i teknologjive të informacionit dhe komunikimit në mbështetje të shëndetit dhe fushave të lidhura me shëndetin. Kjo do të thotë se qëllimi nuk është që qytetari të mbetet i vetëm përballë ekranit, por që zgjidhjet digjitale ta bëjnë kujdesin më të afërt, më të saktë dhe më njerëzor. Literatura bashkëkohore shkencore për shëndetësinë digjitale thekson se ndryshimi i vërtetë ndodh kur pacienti bëhet pjesëmarrës aktiv në rrugëtimin e vet shëndetësor, kur mjeku merr mbështetje më të mirë në vendimin profesional dhe kur institucionet planifikojnë mbi bazë dijesh, provash dhe nevojash reale. Në këtë mënyrë transformimi digjital do të shndërrohet në një marrëveshje të re besimi ndërmjet qytetarëve dhe shëndetësisë publike.

Accessibility Menu