EN
MK
AL

Aliu në konferencën e AmCham: Me përpjekje të përbashkëta drejt një sistemi shëndetësor proaktiv, në vijim janë shumë projekte për forcimin e kapaciteteve në shëndetësi

Aliu në konferencën e AmCham: Me përpjekje të përbashkëta drejt një sistemi shëndetësor proaktiv, në vijim janë shumë projekte për forcimin e kapaciteteve në shëndetësi
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot mbajti fjalim në konferencën e katërt vjetore për shëndetësi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane (AmCham), e cila këtë vit i ishte përkushtuar temës “Fuqia e veprimit në kohë për një sistem shëndetësor që jep rezultate”.
 
Në fjalën e tij, ministri Aliu foli për disa projekte aktuale që kanë për qëllim forcimin dhe përmirësimin e kapaciteteve në shëndetësinë publike. Në kuadër të diskutimit në panel me përfaqësues të institucioneve, sektorit të biznesit dhe organizatave të pacientëve, u debatua për mënyrat e kalimit nga një sistem reaktiv drejt një sistemi proaktiv shëndetësor.
 
“Diagnoza e sistemit tonë është mungesa e të dhënave bazë, proceset kohore të paqarta dhe prioritetet afatshkurtra. Për këtë arsye, kemi filluar përgatitjen e një strategjie kombëtare dhjetëvjeçare për kapacitetet njerëzore, e cila do të jetë e pavarur nga politika ditore. Gjithashtu, në partneritet me Fakultetin e Mjekësisë pranë UKIM-it dhe fakultetet e shkencave mjekësore në Tetovë dhe Shtip, kemi nisur reformat e specializimeve dhe nën-specializimeve. Këto reforma përfshijnë rishikimin e degëve, shkurtimin e disa programeve dhe forcimin e specializimeve më të gjera – si mjekësia interne dhe kirurgjia e përgjithshme – për t’u përshtatur me nevojat reale të sistemit,” tha ministri Aliu.
 
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të shëndetësisë primare dhe të parandalimit, përmes punësimeve të reja dhe procedurës për blerjen e 100 automjeteve të reja për ndihmën e shpejtë mjekësore, si dhe nëpërmjet përmirësimit të mbështetjes digjitale për pacientët përmes platformave “Termini Im”, “Shëndeti Im”, si dhe përgatitjes së rrjeteve kombëtare për radiologji dhe telemjekësi.
 
Aliu shtoi se transformimi digjital është në zhvillim dhe se janë futur module të reja në “Termini Im” për regjistrimin e kontrolleve nga fusha e mjekësisë së punës dhe për menaxhimin e kërkesave për listën e barnave, duke filluar për herë të parë digjitalizimin e procesit për shtimin e një ilaçi të ri në listën pozitive.
 
“Po punojmë për planifikim rajonal të stafit dhe burimeve, si dhe për decentralizimin e kujdesit onkologjik në spitalin ‘8 Shtatori’, por edhe në Tetovë dhe Manastir. Ndërkohë, në Gostivar tashmë është vënë në funksion një sallë e re kirurgjike për ortopedi dhe traumatologji. Që nga dita e parë kam vënë në funksion kabinetin e hapur dhe formën e kontaktit për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Aktualisht po zhvillohen konsultime për një paketë ndryshimesh dhe plotësimesh në 12 ligje me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në shërbimet shëndetësore. Qëllimi ynë është i qartë dhe i përbashkët – një sistem shëndetësor që ofron shërbime cilësore në kohë, me fokus pacientin,” përfundoi ministri Aliu.

Accessibility Menu