Të nderuar,
Dje mora një vendim të bazuar në fakte, në ligj dhe në detyrimin që kam, për të mbrojtur besimin në sistemin shëndetësor.
Oda e Stomatologëve është kujdestare e standardeve profesionale – ajo vendos se cili stomatolog mund të punojë, përmes dhënies dhe vazhdimit të licencave.
Licenca nuk është një copë letre – ajo është garanci që çdo pacient është në duar të sigurta, që stomatologu është profesionist, etik dhe në hap me trendet botërore.
Por, inspektimet dhe dokumentet zbuluan shkelje serioze:
• Edukime të organizuara nga shoqata të paregjistruara dhe certifikata që janë përdorur në mënyrë të parregullt për vazhdimin e licencave;
• Kontrata të nënshkruara në mënyrë retroaktive, në kundërshtim me ligjin;
• Vendime dhe dokumente pa nënshkrim dhe me dokumentacion të pavlefshëm;
• Injorim të masës së përkohshme dhe të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për më shumë se një vit, edhe pse gjykata ka konstatuar se kushtet për kualifikim të vazhdueshëm profesional ishin përcaktuar në kundërshtim me ligjin;
• Gjithashtu, ka dyshime serioze për keqpërdorime financiare nga ana e Odës, për të cilat policia financiare po heton dhe ka siguruar dokumentacion të gjerë, për të cilin besoj se shumë shpejt do të ketë edhe epilog.
Kjo është një goditje direkte ndaj njërës prej pesë shtyllave të vizionit tonë për shëndetësinë – kualifikimi i vazhdueshëm profesional.
Në një kohë kur stomatologjia përparon me diagnostikim digjital, SKANERË-3D dhe procedura minimale invazive, ne duhet të kemi një sistem licencimi të besueshëm, ligjor dhe transparent.
Oda kishte mundësi t’i korrigjonte mangësitë. Nuk e bëri këtë.
Për këtë arsye, duke pasur parasysh dispozitën e nenit 261, paragrafi 1, alineja 4 e Ligjit për Mbrojtjen Shëndetësore dhe duke u bazuar në rekomandimet e komisionit profesional, mora vendim për heqjen e përkohshme të autorizimit publik të Odës së Stomatologëve.
Që nga sot, Ministria e Shëndetësisë merr përsipër kompetencat për licencim, deri sa të vendosim një sistem që funksionon ligjërisht, transparent dhe profesionalisht.
Ky hap nuk është ndëshkim – ky është fillimi i një reforme. Një reformë që do të rikthejë besimin, do të sigurojë integritet dhe do të garantojë që çdo stomatolog ta vazhdojë licencën me dije dhe aftësi në përputhje me standardet më të fundit botërore.
Shëndeti i qytetarëve, profesionalizmi i institucioneve dhe modernizimi përmes edukimit dhe inovacionit do të mbeten prioriteti ynë.