Me këtë prezantim të drejtoreshës së Klinikës Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive, znj. dr. Jasmina Gjorgievska Pavllovska, përmbyllim fushatën edukative për ngritjen e ndërgjegjësimit mbi rreziqet nga përdorimi i mjeteve piroteknike, e realizuar nën moton: “Krijoni kujtime pa lëndime – thoni JO mjeteve piroteknike.”
Sot, edhe një herë, dëshirojmë të theksojmë rrezikun nga përdorimi i paligjshëm i tyre. Prandaj, edhe një herë u bëjmë thirrje qytetarëve të mos përdorin mjete piroteknike gjatë pjesës së mbetur të festave, pasi ato mund të çojnë në pasoja serioze për shëndetin dhe në invaliditet të përhershëm. Petardat nuk janë lodra, përdorimi i tyre është i ndaluar dhe mund të shkaktojnë lëndime serioze të syve, të pëllëmbëve, djegie dhe dëmtime të rënda trupore si pasojë e përdorimit të paligjshëm të mjeteve piroteknike.
Në kuadër të fushatës u vendos një bashkëpunim dhe koordinim më i gjerë ndërinstitucional, në të cilin u përfshinë aktivisht mjekë nga Klinika Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive, mjekë të familjes, studentë të mjekësisë dhe specializantë, si dhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme. Përmes një plani të përbashkët aktivitetesh dhe mesazheve edukative të harmonizuara, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar u mbajtën ligjërata në 137 shkolla fillore dhe të mesme në 27 qytete të vendit, duke përfshirë 14.000 nxënës.
Pavarësisht përpjekjeve institucionale dhe vëllimit të aktiviteteve edukative, mesazhi duhet të përsëritet, sepse pasojat e përdorimit të paligjshëm të mjeteve piroteknike vazhdojnë të jenë reale. Mjekët theksojnë se gjatë natës së Vitit të Ri janë kryer ndërhyrje te shtatë persona (dy të rritur dhe pesë fëmijë) për shkak të lëndimeve më serioze në majat e gishtërinjve, është kryer amputim i pjesëve të gishtërinjve, me plagë dhe djegie në pëllëmbë. Prej tyre, tre fëmijë u pranuan në Qendrën e Urgjencës, dy të rritur në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe dy fëmijë në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike. Këto shtatë ndërhyrje janë një kujtesë se për çdo lëndim pason një proces trajtimi dhe pasoja të përhershme.
Fakti që ndër të lënduarit ka fëmijë, dhe se te disa prej tyre ka qenë e nevojshme amputimi, flet mjaftueshëm për peshën e pasojave mbi shëndetin. Prandaj, i drejtoj një apel të veçantë edhe prindërve që të mos lejojnë piroteknikë në duart e fëmijëve të tyre dhe t’i përfundojnë festat me buzëqeshje, e jo në salla kirurgjikale.