Ministri i Shëndetësisë, z. Azir Aliu, sot vizitoi Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar dhe së bashku me drejtorin, Vullnet Olomani, realizuan një vizitë në këtë institucion shëndetësor, me rastin e përgatitjes së projektit për rikonstruksion dhe ndërtim shtesë të objektit.
“Drejtori më informoi për aktivitetet përgatitore që janë në rrjedhë për rikonstruksionin e Shtëpisë së Shëndetit pas pothuajse pesëdhjetë vitesh. Në kuadër të projektit është planifikuar ndërtimi i një kati të ri, me ç’rast të gjitha shërbimet e shpërndara aktualisht do të sistemohen në një objekt të vetëm, siç janë: laboratori biokimik, patronazhi, mjekësia sportive, kontrollet sistematike dhe administrata. Ky projekt ka rëndësi të veçantë për bashkëqytetarët e mi në Gostivar, për të gjithë pacientët që marrin shërbime shëndetësore këtu, si dhe për të gjithë personelin shëndetësor që punon në këtë institucion.”,- theksoi ministri Aliu gjatë vizitës.
Ndërkohë, për të përforcuar kapacitetet kadrovike të Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar, tashmë është shpallur konkurs për punësimin e 19 personave të rinj, në mesin e të cilëve gjashtë mjekë, nëntë infermierë dhe kuadër tjetër teknik. Procedura për punësimin e tyre do të vazhdojë pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Gjithashtu, aktualisht katër mjekë nga ky institucion janë dërguar për specializim në fushat e biokimisë, pediatrisë, mjekësisë urgjente dhe mjekësisë sportive.
Po ashtu, ministri Aliu mori pjesë në garën shtetërore të ndihmës së parë, e cila këtë vit u mbajt në sheshin qendror të qytetit të Gostivarit. Gara mblodhi ekipe nga e gjithë shteti, të cilat demonstruan njohuritë dhe shkathtësitë e tyre në fushën e ndihmës së parë.