EN
MK
AL

Aliu: Sistemi shëndetësor i shekullit XXI ndërtohet me infrastrukturë digjitale që mundëson lëvizjen e të dhënave bashkë me pacientin

Aliu: Sistemi shëndetësor i shekullit XXI ndërtohet me infrastrukturë digjitale që mundëson lëvizjen e të dhënave bashkë me pacientin
“Sistemi shëndetësor i shekullit XXI nuk ndërtohet vetëm me mure, aparatura dhe procedura, por ndërtohet me të dhëna, me integrim, parashikim dhe infrastrukturë digjitale në shëndetësi,”- theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në fjalimin e tij gjatë hapjes së Panairit të Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë – Health Innovation Expo 2025, që po mbahet sot dhe nesër në Shkup, në organizim të Odës së Shëndetësisë Private të Maqedonisë.
 
Ministri Aliu theksoi se përmes digjitalizimit po vendoset baza e një sistemi shëndetësor që mëson, analizon dhe reagon në kohë – një sistem që nuk pret të shfaqet problemi, por i parashikon dhe i parandalon ato.
 
“Ngjarje të këtij lloji kanë shumë më tepër rëndësi se sa një takim i zakonshëm midis profesionistëve dhe institucioneve shtetërore. Ato nënkuptojnë që të dhënat duhet të lëvizin bashkë me pacientin, e jo pacienti me të dhënat. Ne do të punojmë në këtë drejtim. Mjekët do të kenë qasje të menjëhershme dhe të saktë në historinë mjekësore të çdo pacienti, ndërsa pacienti do të ketë kontroll, qartësi dhe siguri, duke ndjekur në çdo moment të dhënat e veta shëndetësore,”- tha ministri Aliu. Ai shtoi se bëhet fjalë për një model të ri, sipas të cilit tashmë funksionon e gjithë bota, për krijimin e një infrastrukture shëndetësore që vepron në mënyrë parandaluese, e jo thjesht reaguese.
 
Ministri Aliu sqaroi se digjitalizimi në vetvete nuk është shërbim, por themel që e bën sistemin shëndetësor të barabartë dhe me dinjitet për çdo qytetar të vendit.
 
“Teknologjitë kujdesen jo vetëm për pacientët, por edhe për punonjësit shëndetësorë; ato mundësojnë telemjekësinë – një formë konsultative që përbën bazë të mirë dhe udhërrëfyes për një sistem shëndetësor që mund të jetë i pranishëm në çdo shtëpi. Pacientët me sëmundje kronike mund të ndiqen në kohë reale përmes infrastrukturës digjitale të sistemit shëndetësor,”- shtoi ministri Aliu.
 
Në fjalimin e tij, ministri Aliu theksoi se përdorimi i protokolleve digjitale, inteligjencës artificiale dhe algoritmeve të lidhura me sistemin shëndetësor mundëson zbulimin e hershëm të rreziqeve shëndetësore.
 
“Me digjitalizimin do të kemi më pak pritje për pacientët, më pak hospitalizime të panevojshme, dhe më shumë kujdes e dinjitet për ta. Për këtë arsye, ne po punojmë në transformimin digjital të shëndetësisë – për të arritur standardizim si shtet, disiplinë dhe profesionalizëm si punonjës shëndetësorë, si dhe për të përmbushur detyrimin tonë për t’u shërbyer qytetarëve me ndershmëri dhe në kohë,”- theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në hapjen e Panairit Health Innovation Expo 2025.
 
Ai përfundoi fjalimin e tij duke theksuar se do të vazhdohet me integrimin e të gjitha institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore në vend, si dhe me sigurimin e një dosjeje kombëtare elektronike për çdo qytetar.

Accessibility Menu