Të nderuar përfaqësues të mediave,
të nderuar qytetarë,
Kur para disa muajve thashë se sistemin shëndetësor do ta shohim si një organizëm të gjallë, e jo si një grumbull kaotik institucionesh, shumëkush pyeti se çfarë do të thoshte kjo në praktikë.
Sot është përgjigjja e parë ndaj kësaj pyetje: për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë ka filluar analizën e të dhënave mbi gjendjen aktuale të burimeve njerëzore në institucionet shëndetësore publike dhe private në gjithë vendin.
Kjo analizë është rezultat i një procesi institucional të thelluar të ndërthurjes (vërifikimit të kryqëzuar) të të dhënave nga disa institucione: Regjistri Qendror, Agjencia e Punësimit, Oda e Mjekëve, Oda e Stomatologëve, Oda e Farmacistëve, Drejtoria për Shëndetësi Elektronike dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor.
Shëndetësia nuk mund të reformohet “me sy mbyllur”. Nuk mund të planifikohen kujdestaritë, listat e pritjes, specializimet, ekipet ndërhyrëse dhe ofrimi i shërbimeve shëndetësore pranë shtëpisë së çdo qytetari, nëse nuk e dini saktësisht sa njerëz punojnë në sistem, ku punojnë dhe me çfarë profili profesional.
Të nderuar,
Numri i përgjithshëm i institucioneve shëndetësore në vend është 3.779 në momentin kur është bërë analiza.
Nga këto institucione, 2.942 janë në rrjetin e institucioneve shëndetësore, ndërsa jashtë rrjetit janë 837 institucione.
Nga 2.942 që janë në rrjet, 2.830 janë institucione shëndetësore private (IShP), ndërsa 112 janë institucione publike – prej të cilave 108 janë Institucione Shëndetësore Publike (IShP) dhe 4 institucione që ofrojnë shërbime shëndetësore publike, si: Qendra Mjekësore Ushtarake, MANU, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” – Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Farmacisë – Shkup.
Numri i të punësuarve në sektorin publik dhe privat është 32.383, prej të cilëve 18.536 janë në institucionet shëndetësore publike (IShP), ndërsa 13.847 në institucionet shëndetësore private (IShP).
Nga 13.847 të punësuar në sektorin privat, 9.040 janë mjekë dhe anëtarë të ekipeve në shëndetësinë primare, ndërsa 4.807 të tjerët janë të punësuar në institucionet private shëndetësore (gjithë personeli i sektorit shëndetësor).
Nga 18.536 të punësuar në shëndetësinë publike, 4.746 janë mjekë dhe bashkëpunëtorë mjekësorë në nivel sekondar dhe tercial.
7.003 janë infermierë në IShP, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga personel mjekësor dhe jomjekësor në IShP (ku përfshihen mbi 550 profile sipas klasifikimit ndërkombëtar ISCO – p.sh. shoferë të autoambulancës, higjienistë, magazinierë, farmacistë klinikë etj.).
Të nderuar,
Si informaticien, nuk besoj në politika pa të dhëna. Prandaj, këtë proces e nisëm dhe e udhëheqëm si një projekt inxhinierik të ndërthurjes së të dhënave të institucioneve shëndetësore publike dhe private.
I lidhëm të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor – primar, sekondar dhe tercial; e analizuam shpërndarjen në të gjitha komunat dhe rajonet; të dhënat i klasifikuam sipas specialitetit, profilit dhe llojit të institucionit.
Ky është fillimi i vendosjes së një regjistri të punonjësve në fushën e shëndetësisë, ku të dhënat do të mund të shihen në kohë reale dhe të mund të krijojmë politika shëndetësore të bazuara në të dhëna të sakta dhe të përditësuara me kohë.
Të nderuar,
Përmbledhja që kemi përgatitur nuk është një tabelë që do të vjetërohet pas gjashtë muajsh, përkundrazi – hartëzimin e burimeve njerëzore tashmë po e shndërrojmë në një instrument dinamik të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili në çdo moment do të japë një pasqyrë analitike të shpërndarjes së burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor.
Si inxhinier, besoj se sistemet mund të ndryshohen vetëm pasi të maten, dhe pikërisht për këtë, prej sot e në vazhdim, do të mund ta ndjekim lëvizjen e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor – nga pensionimet, punësimet e reja, specializimet, deri te transferimet nga një institucion shëndetësor në tjetrin.
Në fund, secili qytetar me të drejtë do të pyesë: çfarë do të thotë kjo për mua?
Kjo do të thotë se, kur të flasim për punësime të reja, ato do të jenë përgjigje ndaj nevojave reale të sistemit shëndetësor. Kur të themi se do të forcohet shëndetësia primare në ndonjë komunë, do ta dimë saktësisht se sa mjekë dhe infermierë duhen aty. Kur të themi se nuk do të lejojmë qytete me dyfish më pak mjekë për banor, do ta dimë se si ta korrigjojmë këtë.
Ju faleminderit për vëmendjen.