EN
MK
AL

Raporti i ekspertëve të huaj konfirmoi nëntë nga gjithsej 13 rastet e kardiokirurgjisë

Raporti i ekspertëve të huaj konfirmoi nëntë nga gjithsej 13 rastet e kardiokirurgjisë
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në press-konferencën e sotme informoi për gjetjet e komisionit të ekspertëve të huaj, i cili kreu një shqyrtim të pavarur profesional të rasteve që lidhen me dyshime për ndërhyrje të panevojshme kardiokirurgjikale.
 
“Konkluzionet e Komisionit të përbërë nga ekspertë të huaj në një pjesë të konsiderueshme përputhen me rezultatet e komisionit të brendshëm vendor. Nga gjithsej 13 rastet e analizuara, të lidhura me dyshime për operacione të panevojshme ose referime të panevojshme për operacion, komisioni i huaj konstatoi se te katër pacientë, citoj: ‘trajtimi i ofruar, në tërësi, ka qenë mjekësisht i përshtatshëm, në kohë dhe në përputhje me standardet e pranuara të praktikës klinike.’ Te nëntë pacientët e tjerë, sipas ekspertëve të huaj, citoj: ‘dokumentacioni tregon rezultate të dyshimta gjatë vlerësimit diagnostikues – për shembull, mospërputhje ndërmjet rezultateve angiografike nga koronarografia dhe raportit të shkruar – pas së cilës ka pasuar indikacion i papërshtatshëm për procedura, qoftë endovaskulare apo kirurgjikale’. Në lidhje me këto raste, komisioni vlerëson se, citoj: ‘disa aspekte të trajtimit dhe menaxhimit të pacientëve kanë qenë nën standardin profesional të pritshëm dhe mund të kenë ndikuar negativisht në rezultatin klinik’,” theksoi ministri Aliu.
 
Ai shtoi se konkluzionet e të dy komisioneve janë tregues se sistemi duhet të forcohet. Qëllimi është që ky proces të përfundojë me rregulla të reja sistemore, mekanizma të rinj kontrolli dhe siguri më të madhe për pacientët.
 
Në këtë drejtim, Ministria ka filluar procesin e rishikimit të protokolleve për trajtimin e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjikale. Kjo është thelbësore për përmirësimin e mëtejshëm të mbrojtjes shëndetësore të qytetarëve, veçanërisht në pjesën e indikacioneve të qarta mjekësore, vlerësimit profesional dhe ndjekjes së rrugës së pacientit.
 
Paralelisht me këtë, po formohet edhe një “heart team” kombëtar i përbërë nga nëntë anëtarë – kardiologë dhe kardiokirurgë – ndërsa do të krijohet edhe një listë kombëtare për operacionet kardiokirurgjikale, me qëllim transparencë, kontroll dhe siguri më të madhe për pacientët.
 

Accessibility Menu