Ministri Klekovski vizitoi, sot edhe Spitalin e Specializuar të Nefrologjisë në Strugë, ku u takua me drejtorin, Dr. Jetmir Ziba, dhe stafin mjekësor.
Spitali shërben si qendër rajonale për nefrologji dhe urologji dhe njihet për ofrimin e shërbimit të dializës për pacientët me gjendje komplekse shëndetësore.
Vetëm gjatë vitit 2025, institucioni regjistroi: 16.681 trajtime hemodialize; 738 procedura të qasjes vaskulare (fistula AV) për pacientët në dializë; afro 16.000 konsultime në ambulancën e nefrologjisë dhe mbi 7.300 në atë të urologjisë; si dhe 1.381 shtrime të pacientëve në Departamentin e Nefrologjisë.
Institucioni po i nënshtrohet një modernizimi gradual me aparatura të reja për dializë, ndërsa janë siguruar edhe pajisje të reja për anestezi.
Spitali përballet me sfidën e ndërrimit të brezave, pasi një numër i madh infermierësh pritet të dalin në pension këtë vit dhe në vitet në vijim. Njohuritë dhe përvoja e tyre nuk duhet të humbasin me largimin e tyre; prandaj, zëvendësimi në kohë dhe transferimi i ekspertizës te kolegët më të rinj duhet të planifikohen që tani.