Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, mbajti fjalimin përmbyllës në Konferencën Ndërkombëtare të sotme kushtuar temës: “Aspektet institucionale dhe klinike dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçan – një vit më pas.”
“Kjo konferencë tregoi se bashkëpunimi i përbashkët ndërsektorial është shtytësi i ndryshimeve në sistem. Patëm mundësi të dëgjojmë aspekte dhe mekanizma të ndryshëm për përballimin e ngjarjeve të këtij lloji, ndërsa ndamë edhe mësimet që shteti ynë i ka nxjerrë nga kjo ngjarje tragjike. Tragjedia në Koçan edhe një herë konfirmoi se në raste me viktima masive nuk mjafton vetëm reagimi i shpejtë; nevojitet edhe një sistem i përgatitur paraprakisht, i strukturuar me saktësi dhe i harmonizuar institucionalisht. Pikërisht për këtë arsye, prioriteti ynë ishte që mësimet e nxjerra t’i shndërrojmë në mekanizma konkretë, të qëndrueshëm dhe të zbatueshëm”, tha ministri Aliu.
Ai theksoi se në mbledhjen e fundit të Qeverisë është miratuar Plani Kombëtar për përballimin e situatave me viktima masive, i cili për herë të parë është përgatitur në vendin tonë. Miratimi i këtij plani është në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Mekanizmit Evropian për Mbrojtje Civile, standardeve të NATO-s dhe rregulloreve ndërkombëtare shëndetësore. Zbatimi i tij do të mundësojë uljen e vdekshmërisë dhe rritjen e mbijetesës në incidente me shumë viktima, përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe reagim më të shpejtë.
“Plani Kombëtar për përballimin e situatave me viktima masive është një mjet institucional dhe operacional që synon të mundësojë përdorimin dhe shpërndarjen racionale të burimeve të kufizuara njerëzore dhe materiale, komunikim më të mirë ndërinstitucional dhe një reagim më të shpejtë dhe më efikas në situata me viktima masive. Ky dokument është baza mbi të cilën do të vazhdojmë të ndërtojmë një sistem me trajnime të rregullta, ushtrime simulimi, verifikim të kapaciteteve dhe përmirësim të vazhdueshëm të gatishmërisë. Prandaj, Plani Kombëtar për përballimin e situatave me viktima masive duhet të shihet si fillimi i një faze të re në forcimin e sigurisë shëndetësore dhe të qëndrueshmërisë institucionale të shtetit”, theksoi Aliu.
Në kuadër të fjalimit përmbyllës, ministri Aliu u ndal edhe te protokolli i parë kombëtar për trajtimin e djegieve, i cili përfaqëson një hap kyç në standardizimin dhe përmirësimin e trajtimit të pacientëve me djegie në nivel kombëtar.
“Zbatimi i këtij protokolli synon të vendosë standarde të qarta për vlerësimin, triagjimin, transportin, trajtimin intensiv, ndërhyrjet kirurgjikale dhe rehabilitimin, në të gjitha nivelet – nga kujdesi shëndetësor parësor deri te qendrat klinike terciare. Dua të theksoj veçanërisht rolin e grupit të punës që përgatiti këtë dokument. Në të morën pjesë ekspertë nga specialitete dhe institucione të ndryshme, të cilët analizuan me përkushtim udhëzuesit kryesorë evropianë dhe amerikanë, krahasuan rekomandimet dhe i përshtatën ato me kushtet dhe nevojat tona kombëtare. Falë ekspertizës dhe punës së tyre në ekip, sot kemi një protokoll që siguron një algoritëm bashkëkohor, të strukturuar dhe praktik për trajtimin e pacientëve me djegie”, përfundoi ministri Aliu.
Njëkohësisht, ai informoi se ka nisur edhe një proces më i gjerë për forcimin thelbësor të sistemit të reagimit shëndetësor në situata krize, përmes modernizimit të shërbimit të ndihmës së shpejtë mjekësore dhe futjes së profilit paramedik, si dhe licencimit të ekipeve EMT Type 1 sipas standardeve ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, shteti krijon një kapacitet të ri operativ për reagim të shpejtë dhe të strukturuar mjekësor në situata krize.
Për këtë vit, Qeveria ka marrë vendim që të sigurojë 100 automjete të reja për Ndihmën e Shpejtë Mjekësore, me vlerë projekti rreth 7,5 milionë euro, gjë që do të përforcojë ndjeshëm kapacitetet e kësaj shërbimi.