EN
MK
AL

U rindërtuan gjashtë salla kirurgjikale në Qendrën Klinike, pjesë e një projekti të gjerë të Qeverisë me vlerë prej 282 milionë denarësh

U rindërtuan gjashtë salla kirurgjikale në Qendrën Klinike, pjesë e një projekti të gjerë të Qeverisë me vlerë prej 282 milionë denarësh
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me Kryeministrin, Hristijan Mickoski, sot vizituan klinikat kirurgjikale në kompleksin e klinikave “Nënë Tereza”, ku gjatë periudhës së kaluar janë rindërtuar plotësisht gjashtë salla operative: dy në Klinikën e TOARILUC-it (reparti i traumatologjisë), dy në Klinikën e Urologjisë dhe dy në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve.
 
"Është realizuar një rindërtim dhe rinovim i plotë, me zëvendësim tërësor të instalimeve, dyshemeve, dritareve dhe të gjitha ndërhyrjeve ndërtimore janë kryer sipas standardeve më të larta. Bëhet fjalë për një projekt më të gjerë që përfshin gjithsej 10 salla kirurgjikale, me vlerë totale prej 282 milionë denarësh. Punimet ndërtimore kanë filluar në fillim të nëntorit. Vazhdojmë me rindërtimin dhe rinovimin edhe të katër sallave të mbetura kirurgjikale, prej të cilave tri janë për Klinikën e Kirurgjisë Digjestive dhe një sallë e re për Qendrën Urgjente, e cila do të jetë e dedikuar për ndërhyrje njëditore. Me përfundimin e këtij projekti të madh, do të kemi një bllok kirurgjikal plotësisht të rinovuar në kompleksin e klinikave", theksoi ministri Aliu.
 
Në Klinikën e TOARILUC-it është siguruar edhe pajisje e re kirurgjikale e kompletuar, e cila përfshin makina të reja anesteziologjike, drita operative dhe monitorë, një aparat të ri mobil për rreze X, si dhe pajisje për operacione pa gjak në dorë dhe këmbë me ndalimin e qarkullimit të gjakut. Është instaluar gjithashtu një sistem i ri ventilimi dhe furnizimi me ajër.
 
Në sallat e Klinikës së Urologjisë janë siguruar dy aparate më bashkëkohore, prej të cilave njëri për biopsi të prostatës (ky është aparati i vetëm i këtij lloji në Ballkan dhe pajisje të tilla gjenden vetëm në qendrat më të zhvilluara urologjike), me të cilin kryhet biopsi e targetuar, pra shënjestrohet me saktësi të lartë vetëm indi i dyshimtë. Po ashtu, është siguruar edhe një lazer për enukleacion të prostatës, përkatësisht për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale pa gjak.
 

Accessibility Menu