EN
MK
AL

Aliu: Po e lehtësojmë qasjen e pacientëve te Klinika - kemi siguruar 300 vende të reja parkimi për punonjësit

Aliu: Po e lehtësojmë qasjen e pacientëve te Klinika - kemi siguruar 300 vende të reja parkimi për punonjësit

Siç kam paralajmëruar, problemet do t’i zgjidhim me masa konkrete, të qëndrueshme dhe të zbatueshme.

Edhe sot, ditën ia kushtojmë pikërisht kësaj – një zgjidhjeje konkrete, të shpejtë dhe funksionale për një nga problemet më të dukshme dhe më të njohura në Qendrën Klinike “Nëna Terezë”, e ajo është çështja e parkimit.

Në kushte kur mbi 6.000 njerëz kalojnë çdo ditë nëpër kompleks, dhe më shumë se 2.500 prej tyre janë të punësuar, çështja e parkimit nuk mund të lihet në mëshirën e improvizimeve. Nuk mund të flasim për sistem funksional shëndetësor pa qasje funksionale.

Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kompaninë LIMAK SHPK Shkup, me të cilin sigurojmë hapësirë parkimi për 300 automjete, e destinuar për të punësuarit në institucionet shëndetësore që funksionojnë në kuadër të Qendrës Klinike.

Që nga 1 korriku, kjo hapësirë parkimi do të vihet në funksion. Ajo ndodhet rreth pesë minuta në këmbë nga çdo klinikë. Në këtë mënyrë, ne po i përgjigjemi drejtpërdrejt njërit prej problemeve më të mprehta – kaosit të përditshëm të parkimit në këtë kompleks më të madh shëndetësor në shtet.

Me zhvendosjen e veturave të të punësuarve jashtë zemrës së kampusit, lirojmë hapësirat më të afërta për pacientët. Më në fund, ata nuk do të kenë nevojë të merren me probleme të trafikut dhe të humbin durimin. Kjo do të thotë qasje më e lehtë, më pak ngarkesa dhe më shumë respekt për kohën dhe dinjitetin e çdo njeriu që vjen për ndihmë shëndetësore. Qendra Klinike po merr një hapësirë parkimi që do të jetë në shërbim të pacientëve.

Por ky është vetëm hapi i parë në zgjidhjen e problemit.

Po fillojmë edhe me një analizë sistematike të hapësirës. Do të bëjmë hartëzim të çdo cepi, do të dimë saktë sa automjete mund të parkohen, cilat janë pikat më të ngarkuara gjatë ditës dhe ku janë pikat më kritike të bllokimit.

Në bazë të këtyre të dhënave, do të krijojmë një model të menaxhimit të hapësirës që nuk do të mbështetet në zakone dhe kaos, por në shifra, nevoja dhe logjistikë. Në proces do të përfshihen edhe vetë klinikat, drejtorët dhe të punësuarit, sepse çdo zgjidhje praktike duhet të vijë me dije nga përdoruesit e saj.

Në fazën e ardhshme, do ta përmirësojmë edhe lëvizjen e pacientëve brenda Qendrës Klinike. Janë në përgatitje vendosja e tabelave informative digjitale në hyrjet e kompleksit, si dhe në pikat kyçe brenda Qendrës Klinike ku zakonisht krijohet ngarkesë. Do të mundësojmë orientim më të lehtë dhe qasje më të shpejtë deri te klinikat.

 

https://mab.to/t/bfGz3lUabJW/eu1

Accessibility Menu