Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, prezantoi platformën e re “Kabineti i Hapur”, i cili është i disponueshëm përmes faqes zyrtare të Ministrisë. Nëpërmjet kësaj platforme, çdo qytetar ka mundësi të caktojë një takim 15-minutësh me ministrin – çdo të premte, pa asnjë pengesë administrative dhe pa pasur nevojë për ndërmjetës.
“Kjo nuk është thjesht një risi teknologjike, por një qëndrim i qartë: institucionet duhet të dëgjojnë, jo të flasin vetëm me veten. Kjo është një përgjigje ndaj një nevoje reale – që sistemi shëndetësor të jetë i hapur, gjithëpërfshirës dhe të reagojë në kohë,” theksoi ministri Aliu.
Qëllimi është të ndërtohet një sistem shëndetësor që bashkëbisedon me qytetarin, vepron me integritet dhe ndërtohet mbi besimin. Një sistem që nuk udhëhiqet nga përshtypjet, frika apo presioni politik, por që mbështetet në të dhëna të sakta, analiza të mirëfillta dhe nevojat reale të popullsisë.