Pas shpalljes së epidemisë së gastroenteriteve akute në Komunën e Gostivarit, Ministria e Shëndetësisë, me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive, po zbaton mbikëqyrje të shtuar shëndetësore dhe epidemiologjike me qëllim zbulimin në kohë dhe parandalimin e shfaqjes së mundshme të sëmundjeve që transmetohen në rrugë fekalo-orale.

Edhe pse situata epidemiologjike po stabilizohet, disa sëmundje mund të kenë një periudhë më të gjatë inkubacioni. Për këtë arsye, gjatë javëve në vijim u rekomandojmë qytetarëve të ndjekin me kujdes gjendjen e tyre shëndetësore.
Nëse shfaqen:
- zverdhje e lëkurës ose e syve;
- urinë me ngjyrë të errët;
- jashtëqitje me ngjyrë të çelët;
- nauze ose të vjella;
- temperaturë e lartë trupore;
- lodhje e theksuar;
- dhimbje nën harkun e djathtë brinjor;
- humbje e oreksit,
paraqituni te mjeku juaj amë.
Nuk rekomandohet vetë-mjekimi ose shtyrja e kontrollit mjekësor.
Njëkohësisht, ju rikujtojmë se mbrojtja më e mirë nga sëmundjet që transmetohen në rrugë fekalo-orale është zbatimi i vazhdueshëm i masave themelore të higjienës:
- larja e rregullt e duarve me ujë dhe sapun (veçanërisht pas përdorimit të tualetit);
- përdorimi vetëm i ujit të sigurt për pije;
- larja e mirë e frutave dhe perimeve me ujë të sigurt për pije;
- përpunimi termik i ushqimit në temperaturë mbi 70°C;
- mbajtja e higjienës së mirë personale.
Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Qendrat për Shëndet Publik dhe institucionet shëndetësore vazhdojnë me mbikëqyrje të shtuar dhe e monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën epidemiologjike.
Qytetarët do të informohen me kohë për çdo zhvillim të ri dhe për çdo rekomandim shtesë.