EN
MK
AL

Detajet dhe skicat për Kompleksin e ri Klinik Universitar "Nënë Tereza"

Detajet dhe skicat për Kompleksin e ri Klinik Universitar "Nënë Tereza"

Zgjidhja konceptuale për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup u përgatit nga kompania projektues AREN SRL nga Italia. Pas kësaj ndiqet faza e përgatitjes së projektit bazë, i cili duhet të përfundojë brenda 160 ditëve, pra deri në fund të vitit, dhe shuma totale për përgatitjen e gjithë projektit është 1.300.000 euro. Ndërtimi i Qendrës së re Klinike, i cili pritet të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm, pritet të përfundojë brenda tre viteve.

 

DETAJE MË KONKRETE


Kati i dytë dhe i tretë përfaqësojnë departamentin e ri për Kujdes Intensiv, mjekësor dhe kirurgjik. Organizimi aktual i klinikave është i tillë që secila klinikë ka kujdes intensiv të veçantë. Risia është organizimi i kujdesit intensiv multidisiplinar në një hapësirë të përbashkët për mjekësinë interne. Cikli ditor i ekipit multidisiplinar është i lidhur ngushtë me uljen e mortalitetit tek pacientët në kujdes intensiv mjekësor. Përfitimet nga mbijetesa në kujdesin intensiv në pjesën më të madhe shpjegohen edhe me ekzistencën e ekipeve multidisiplinare, të përbërë kryesisht nga mjekë shumë të trajnuar. Këto ekipe mundësojnë shkëmbimin e informacionit në kohë dhe ballë për ballë, duke krijuar një plan të kujdesit të personalizuar për çdo pacient. Kujdeset intensive të veçanta formohen vetëm për klinika specifike, si kujdesi intensiv kardiologjik dhe kujdesi intensiv në neurokirurgji etj. Kjo siguron fleksibilitet ideal dhe përqendrim të stafit të specializuar në një nivel, duke ofruar mundësinë për ofrimin e kujdesit multidisiplinar për pacientët më kritikë.

 

SINJALISTIKË PËR PERSONAT ME SHIKIM TË DOBËSIRËDHE TË REDUKTUAR

 

Për orientim gjatë lëvizjes brenda objekteve është parashikuar sinjalistikë e përshtatshme për personat me dëmtime dhe reduktim të shikimit. Ashensorët do të kenë panele me butona që përmbajnë numra të shkruar edhe në alfabetin Braille, dhe në çdo kat do të ketë harta taktile për çdo hapësirë të veçantë. Sinjalistika shtesë në alfabetin Braille do të jetë e vendosur edhe në mbrojtëset e korridoreve.

 

Të gjitha elementet e sinjalistikës do të përpunohen nga materiale të lehta për mirëmbajtje higjienike, të qëndrueshme ndaj përdorimit të gjatë dhe të mbrojtura nga veprat vandaliste (struktura alumini, ABS për lidhje dhe mbulim, fletë transparente antireflektive PVC për mbrojtjen e paneleve). Për shkrimin e simboleve do të përdoren materiale fotorezistente, dekorime serigrafike dhe fletë ngjitëse cilësore. Materialet reflektuese nuk do të përdoren.

 

Objekti i Qendrës së re Klinike do të jetë i aksesueshëm – do të mund të arrihet, të hyhet dhe të përdoret nga çdo person që ka nevojë për shërbim shëndetësor. Do të jetë një objekt pa barriera.

 

SISTEMI PËR KONTROLLIN, MONITORIMIN DHE MENAXHIMIN E KOMPJUTERIZUAR TË OBJEKTIT – Building Management System (BMS)


Është parashikuar instalimi i një qendre BMS për menaxhim inteligjent të bllokut klinik, që do të kontrollojë dhe monitorojë të gjithë pajisjet elektrike dhe mekanike në objekt dhe do të optimizojë punën e tyre, siç janë ventilimi dhe klimatizimi, ndriçimi, pajisjet kundër zjarrit, energjia elektrike dhe sistemet e sigurisë. BMS përfaqëson qendrën për mbledhjen dhe menaxhimin e të gjitha parametrave teknikë të pajisjeve në objekt. Përmes transferimit të të dhënave, BMS do të kontrollojë dhe do të menaxhojë instrumentet e çdo sistemi teknik, duke zbatuar urdhëresat e operatorit dhe duke respektuar standardet e sigurisë. Operatorët në qendrën kompjuterike do të kenë pamje të plotë dhe mundësi të plotë menaxhimi të gjithë kompleksit të klinikave. Sa i përket sigurisë, kjo qendër do të mbledhë të gjitha informacionet nga sensorët e vendosur në objekt dhe do të aktivizojë alarme dhe në raste ekstreme do të marrë vendime automatike.

 

Qendra BMS duhet të përfshijë kontrollin dhe menaxhimin e sistemeve të mëposhtme:

 

Sistemi i ventilimit dhe klimatizimit, me kontroll të plotë të ftohësve dhe ventilatorëve dhe mundësinë e ridrejtimeve

Kontrolli dhe optimizimi i ndriçimit në objekt, përfshirë raportimin e defekteve

Kontrolli i sistemit kundër zjarrit

Kontrolli i funksionimit të ashensorëve

Kontrolli i sistemeve të sigurisë dhe pajisjeve për hyrje në zona të caktuara (RF-ID ose karta magnetike)

Kontrolli i sistemit të video-nadzorit

Kontrolli dhe monitorimi i sallës ku do të jetë i vendosur qendra kompjuterike e bllokut klinik

Menaxhimi i sistemeve energjetike në objekt

Kontrolli i sistemit të zërit dhe shpërndarjes së njoftimeve

Kontrolli i gjeneratorëve dhe baterive rezervë (UPS)

Kontrolli, monitorimi dhe menaxhimi i rrjetit kompjuterik në bllokun klinik

Kontrolli dhe menaxhimi i të gjitha punëstacioneve kompjuterike në bllokun klinik

 

Nëpërmjet arkitekturës rrjetore dhe qendrës kompjuterike do të integrohen të gjitha klinikat në bllokun e ri klinik, duke krijuar një arkivë elektronike qendrore për të gjitha të dhënat mjekësore të pacientëve dhe një sistem informatik qendror spitalor që përmban të gjitha të dhënat mjekësore si kartonat personalë të shëndetit, radiografitë dhe dosjet e tjera mjekësore.

Accessibility Menu