Si një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme në sistemin tonë shëndetësor, dhe me qëllim të forcimit të menaxhimit të Institucioneve Publike Shëndetësore, për herë të parë në sistemin shëndetësor të Republikës së Maqedonisë po e implementojmë sistemin Balanced Scorecard ose sistemin e Pasqyrës së Balancuar për Arritjet.
Me këtë sistem, fillimisht në nivel kombëtar përcaktohen indikatorët e sistemit shëndetësor të ndarë në katër fusha: Pacientë, Fokus Klinik, Zhvillim/Trajnim dhe Financa. Nga këta indikatorë kombëtarë të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, dalin indikatorët për secilën institucion shëndetësor publik (ISHJP). Pasi të vendosen indikatorët për secilën ISHJP, ndjekja e realizimit të tyre bëhet çdo 6 muaj, ndërsa vlerësimi përfundimtar pas 1 viti.
Indikatorët në fushën Pacientë kanë të bëjnë me higjienën në institucionet shëndetësore, kënaqësinë e pacientëve me sjelljen e punonjësve shëndetësorë, kënaqësinë me ushqimin spitalor, kohën e pritjes për marrjen e një ndërhyrjeje të caktuar, si dhe sa shpejt institucioni shëndetësor i përgjigjet ankesave të pacientëve.
Indikatorët në fushën Fokus Klinik lidhen me ndjekjen e protokolleve të diagnostikimit dhe trajtimit të bazuar në mjekësinë e bazuar në prova, zvogëlimin shtesë të vdekshmërisë foshnjore në institucionet apo repartet gjinekologjike dhe obstetrike, përdorimin e sistemit elektronik të programimit "Termini im", dhe arritjet sipas sistemit të vlerësimit përmes performancës.
Indikatorët në fushën Zhvillim dhe Trajnim lidhen me ndërhyrjet apo aftësitë e reja që duhet të përvetësohen në ISHJP, nxitjen e punës shkencore, mbajtjen e talenteve të larta, si dhe krijimin apo zhvillimin e një sistemi cilësor në institucionin shëndetësor.
Indikatorët në fushën Financa kanë të bëjnë me përmbajtjen ndaj të ardhurave dhe shpenzimeve të planifikuara, me qëllim të parandalimit të krijimit të borxheve, nxitjen për sigurimin e të ardhurave nga burime të tjera për të forcuar frymën ndërmarrëse në menaxhim, përmbajtjen ndaj shpenzimeve për barna dhe materiale mjekësore, si dhe përmbajtjen ndaj rregulloreve në pjesën e punës financiare.
Çdo indikator ka një peshë të caktuar, dhe nga niveli i realizimit të indikatorëve të vendosur do të varet nëse menaxhmenti i ISHJP-së përkatëse do të shpërblehet financiarisht apo jo. Parashihet që sistemi të përmirësohet nga viti në vit dhe të shtohen indikatorë të rinj, realizimi i të cilëve do të ndiqet.
Në këtë mënyrë po vendosim një sistem transparent në të cilin të gjitha ISHJP-të kontribuojnë drejt realizimit të indikatorëve kombëtarë, pra strategjisë kombëtare shëndetësore të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë. Njëkohësisht, theksojmë rolin dhe përgjegjësinë e menaxhmentit, duke mundësuar që të shprehet përkushtimi, iniciativa, krijimtaria, dhe mbi të gjitha puna e ndershme dhe me përgjegjësi e njerëzve që udhëheqin ISHJP-të.
Sistemi mundëson vlerësim të drejtë dhe objektiv të punës së menaxhmentit të ISHJP-ve, si dhe identifikimin e fushave ku është e nevojshme përmirësim i mëtejshëm, si në nivel të institucionit shëndetësor, ashtu edhe në nivel kombëtar.
Person kontakti nga Ministria e Shëndetësisë:
Dr. Ivica Smokovski
ivica.smokovski@zdravstvo.gov.mk