Ky është projekti më i madh në shëndetësi në historinë e Republikës së Maqedonisë së pavarur, me të cilin do të riorganizohet dhe rinovohet plotësisht infrastruktura e jashtme dhe e brendshme në 41 institucione publike shëndetësore.
Në katër vitet e kaluara ka filluar faza e parë e projektit për rikonstruksion dhe zgjerim të spitaleve në vlerë prej 100 milionë euro, investimi më i madh në infrastrukturën shëndetësore në 20 vitet e fundit.
Është përgatitur një studim fizibiliteti dhe janë siguruar mjete nga Banka për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës, dhe tashmë kanë filluar punimet ndërtimore në 17 objekte.
Projekti do të zhvillohet në katër faza dhe afati për përfundim është viti 2014. Rezultatet tashmë janë të dukshme! Për rinovimin e shtëpive të shëndetit, Qeveria do të investojë në rikonstruksion dhe rehabilitim të objekteve qendrore të 34 shtëpive shëndetësore, shumica prej të cilave janë më të vjetra se 50 vjet.
Po ndërtohen dhe rinovohen institucione publike në mbarë Maqedoninë: Klinikat kirurgjikale në Shkup, Instituti i Radiologjisë, Qendra Urgjente, Klinika e Sëmundjeve të Fëmijëve, Klinika e Hematologjisë, Klinika e Kardiologjisë, Klinika e Sëmundjeve Infektive, Instituti i Sëmundjeve të Mushkërive, Klinika e Psikiatrisë, Enti Republikan i Transfuzionit, Klinika e Sëmundjeve Kirurgjikale "Shën Naum i Ohrit", Instituti i Sëmundjeve të Mushkërive – Kozle dhe Spitali Special për Gjinekologji dhe Obstetrikë – Çair.
Gjithashtu, po rinovohen spitalet në Tetovë, në Strumicë, në Veles, në Prilep, në Ohër, në Kumanovë, në Gjevgjeli, në Gostivar, në Kërçovë, në Koçan, si dhe Spitali Special Jasenovo – në Veles, Enti i Nefrologjisë në Strugë dhe Spitali Psikiatrik në Negorcë. Në fazën përfundimtare janë rikonstruksionet e shtëpive të shëndetit në Shkup (tre poliklinika), Kriva Pallankë dhe në Prilep. Në fazën e tretë, përveç përfundimit të klinikave, është planifikuar edhe rikonstruksioni i plotë i Spitalit të Qytetit “8 Shtatori” – Shkup (ish-Spitali Ushtarak).
Një spital i ri do të ndërtohet për banorët e Shtipit, si dhe një objekt i dedikuar për nevojat e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Shtip.
Është planifikuar rinovimi i spitalit klinik në Manastir, si dhe i spitaleve të përgjithshme në Kërçovë, Strugë, Gjevgjeli, Spitalit Psikiatrik në Demir Hisar, dhe Shtëpisë së Shëndetit në Ohër.
Do të vazhdojnë aktivitetet për përgatitjen e ndërtimit të Qendrës së re Klinike.
Qeveria do të hapë ambulanca në rreth 100 vendbanime dhe zona rurale. Në këtë mënyrë do të stimulojë mjekët e rinj të punësohen në zonat rurale, dhe njëkohësisht do të rritet niveli i parandalimit shëndetësor të popullsisë në Republikën e Maqedonisë, në përputhje me standardet shëndetësore evropiane dhe botërore.