Padrejtësia më e rëndë në shëndetësi nuk shprehet gjithmonë përmes mungesës së diçkaje. Ndonjëherë ajo qëndron në faktin që diçka është e paparashikueshme. I njëjti pacient, e njëjta diagnozë, por një rrugëtim i ndryshëm brenda spitalit, hapa të ndryshëm, vendime të ndryshme, rreziqe të ndryshme. Kjo mund të ndodhë dhe ndodh jo sepse mjekësia është e pasigurt apo arbitrare, por sepse sistemi, ndër vite, nuk ka ndërtuar rend. Dhe kur rendi nuk është i dakorduar dhe funksional, ai zëvendësohet nga zakoni. Kur zakoni ndryshon nga një repart në tjetrin, variacioni në proceset dhe procedurat shëndetësore shndërrohet në rrezik. Prandaj hap temën e diçkaje që nuk është spektakolare, por është thelbësore - procedurat e standardizuara spitalore si bazë e cilësisë dhe sigurisë në shëndetësi.
Në deklaratat e mia publike shpesh e përsëris se vizioni ynë është “shëndetësi aktive”, pra një sistem që planifikon paraprakisht, zgjidh problemet dhe mat rezultatet. Nuk bëhet fjalë për slogan marketingu, përkundrazi, bëhet fjalë për një metodë pune institucionale. Kur duhet ta zbatojmë këtë në funksionimin e spitaleve, metoda kërkon ndërtimin e një sistemi kombëtar standardesh që do të rrisë sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore, do të stabilizojë vazhdimësinë e kujdesit dhe do të reduktojë variacionet e panevojshme. Ideja bazë është krijimi i një infrastrukture profesionale që do të mbrojë mjekët dhe pacientët nga kaosi që mund të shkaktohet nga interpretimi dhe zbatimi i ndryshëm i proceseve në momente kritike.
Evropa i ka nisur prej kohësh këto procese me seriozitet institucional, duke i trajtuar gabimet si çështje sistemike dhe jo si dobësi karakteri të individëve. Këshilli i Bashkimit Evropian që në vitin 2009 theksoi se siguria e dobët e pacientëve është njëkohësisht problem i shëndetit publik dhe barrë ekonomike, si dhe se shumë ngjarje të padëshiruara mund të parandalohen nëse adresohen në mënyrë sistemike. Thelbi është në vullnetin politik që, në vend të kërkimit të fajtorëve, të ndërtohet një sistem që nuk lejon përsëritjen e gabimeve dhe rreziqeve që burojnë prej tyre. Pjekuria në shëndetësi matet me aftësinë për ta shndërruar përvojën në rregull, dhe rregullin në zakon institucional e profesional.
Edhe ne nuk fillojmë nga zero. Në sistemet shëndetësore evropiane, procedurat e standardizuara spitalore zhvillohen përmes qasjeve si Lean Healthcare dhe Clinical Pathways, modele që përmes standardizimit të kujdesit dhe racionalizimit të hapave reduktojnë barrën mbi ekipet mjekësore dhe pacientët. Clinical Pathways synojnë të standardizojnë proceset e kujdesit në një mjedis të caktuar spitalor, duke i shndërruar udhëzimet në hapa praktikë dhe të strukturuar - kush, kur, si dhe me çfarë verifikimi vepron. Lean, në formën e tij më të mirë, nuk është kursim në kurriz të pacientit, por disiplinë që fokuson energjinë e ekipeve në atë që krijon vlerë dhe eliminon pengesat që ngadalësojnë ofrimin e shërbimit shëndetësor. Dokumentet e NHS tregojnë se qasjet Lean mund të përmirësojnë cilësinë dhe sigurinë, të shkurtojnë kohën dhe të rrisin efikasitetin.
Një nga shembujt më interesantë është modeli danez i “paketave” të trajtimit për pacientët onkologjikë, ku hapat planifikohen si ngjarje të paracaktuara në kohë dhe përmbajtje, me synim reduktimin e kaosit dhe pritjeve të panevojshme nga simptomat e para deri te diagnoza dhe trajtimi. Qëllimi nuk është ta bëjmë shëndetësinë mekanike, por të eliminojmë pasiguritë e panevojshme. Për pacientin, pasiguria përjetohet si simptomë e dytë, ndërsa për sistemin ajo është shenjë e proceseve të paqëndrueshme.
Në praktikë kjo nënkupton krijimin e një kornize kombëtare ku proceset spitalore standardizohen, variacionet reduktohen, siguria rritet, burimet përdoren më me racionalitet dhe besimi i qytetarëve forcohet sepse sistemi bëhet i qasshëm.
Efektet e pritshme përfshijnë procese të standardizuara, siguri më të lartë të pacientëve, më pak gabime mjekësore, menaxhim më të mirë të burimeve infrastrukturore dhe njerëzore, si dhe kënaqësi më të madhe të pacientëve. Bëhet fjalë për rezultate të matshme - thelbi i konceptit të shëndetësisë aktive: të masim, të mësojmë dhe të përmirësojmë.
Ky proces kërkon bashkë-krijim, ekipe që e kuptojnë realitetin klinik dhe që mund ta transformojnë atë në procedura funksionale. Ai duhet të udhëhiqet nga profesionalizmi, konsensusi dhe disiplina, me transparencë dhe përsëritshmëri.
Qasja ka një dimension inxhinierik - stabiliteti i sistemit duhet të vijë nga arkitektura, jo nga urdhrat. Procedurat e standardizuara do të integrohen në përditshmërinë spitalore: pranimi, triage, listat operative, kontrollet e sigurisë, menaxhimi i infeksioneve, letrat e daljes, transferet ndërmjet reparteve. Kjo do të thotë lista kontrolli aty ku faktori njerëzor është nën stres dhe role të qarta aty ku sekondat vendosin rezultatin. Kështu reduktohen “pikat e verbëra” ku askush nuk është formalisht përgjegjës.
Agenda evropiane për sigurinë e pacientëve thekson vazhdimisht se siguria nuk është virtyt individual, por një veti sistemike, rezultat i proceseve dhe strukturave që e bëjnë shëndetësinë më të sigurt. Kjo logjikë është thelbësore edhe për ne, ne nuk presim heroizëm si standard, por vendosim standarde që të mos varemi nga heroizmi. Shëndetësia duhet të funksionojë edhe kur është e vështirë, edhe kur ka ngarkesë, edhe gjatë turneve të natës. Pikërisht në këto situata procedurat e standardizuara spitalore janë më të nevojshme si mbështetje sistemike.
Në publik kam thënë në disa raste se “po kalojmë nga kaosi në sistem, nga improvizimi në digjitalizim, nga ngecja në përgjegjësi”, dhe se koha e shtyrjeve ka përfunduar. Është më e lehtë të thuash këto fjali kur flitet për projekte të mëdha dhe investime kapitale. Por pesha reale e reformës matet në përditshmërinë spitalore. Pikërisht aty, në “gjërat e vogla”, shihet nëse sistemi shëndetësor menaxhon proceset apo mbështetet në zakone.
Procedurat e standardizuara spitalore nuk i trajtoj si një projekt teknik, por si një detyrim thelbësor shtetëror në shëndetësi për të siguruar një pikënisje të barabartë, qasje dhe siguri që nuk varen nga rastësia apo nga praktikat lokale të vendosura. Ky do të jetë një tranzicion nga një shëndetësi që mbijeton falë përpjekjeve individuale drejt një shëndetësie që funksionon mbi bazën e rregullave.