Sot u mbajt një takim online ndërmjet komisionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar të ekspertëve, të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të procesit për analizë profesionale dhe shqyrtim të ndërhyrjeve të përmendura kardiologjike dhe kardiokirurgjikale.
Takimin e hapi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili i informoi ekspertët për ecurinë e deritanishme të procedurës, mënyrën e mbledhjes dhe standardizimit të dokumentacionit të pacientëve, si dhe për qëllimin e verifikimit profesional në dy nivele.
“Ky proces po zhvillohet për të përcaktuar fakte të bazuara në mjekësi të mbështetur në prova. Pres që ekspertët e huaj të japin një vlerësim të pavarur profesional nëse ekzistojnë lëshime të mundshme në procedurat dhe proceset në rastet e theksuara nga komisioni i brendshëm, si dhe të ndihmojnë në identifikimin e boshllëqeve të mundshme sistemore. Hulumtimet duhet ta forcojnë sistemin tonë shëndetësor dhe, nëse identifikohet nevoja, do të ndërmarrim edhe ndryshime në rregullativën ligjore. Qëllimi është përmirësimi i performancës së sistemit, rikthimi i besimit të qytetarëve dhe vendosja e standardeve evropiane”, tha ministri Aliu.
Në takim u harmonizua metodologjia e punës sipas së cilës do të veprojnë ekspertët e huaj në kuadër të analizës së dytë profesionale.
Ministria rikujton se grupi ndërkombëtar i ekspertëve përbëhet nga tre profesionistë të shquar – dr. Ugolino Livi, kardiokirurg nga Italia; dr. Nikola Lakiq, kirurg kardiovaskular nga Sllovenia; dhe dr. Çerçek Miha, kardiolog intervenues nga Sllovenia. Angazhimi i tyre synon të sigurojë peshë shtesë profesionale mjekësore dhe standarde ndërkombëtarisht të krahasueshme në analizën e rasteve të paraqitura për operacione të kryera ose për referime të panevojshme për operacion.