Pas muajsh pune intensive dhe kalimit të të gjitha procedurave të nevojshme administrative dhe ligjore, më në fund arritëm në një vendim me të cilin zgjidhim problemin disavjeçar të parkimit brenda kompleksit klinik.
Këtë çështje e paralajmëruam si një nga prioritetet e para, mbyllja e së cilës ishte e kushtëzuar nga procedura dhe harmonizime të ndërlikuara. Me vendimin e fundit të Qeverisë, kjo çështje merr një kornizë të qartë institucionale dhe hapet rruga drejt një zgjidhjeje të përhershme në interes të pacientëve dhe të gjithë të punësuarve në kompleksin e klinikave, theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në konferencën e sotme për shtyp.
Bëhet fjalë për një vendim për dhënien me qira të pasurive të paluajtshme me marrëveshje të drejtpërdrejtë me Qytetin e Shkupit, me qëllim organizimin, menaxhimin, rregullimin dhe mirëmbajtjen e parkingjeve në hapësirën e kompleksit të klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.
Me këtë vendim mundësohet rregullimi hapësinor dhe ndërtimi i garazheve shumëkatëshe.
Në fazën e ardhshme, Qyteti i Shkupit do të fillojë me projektimin dhe ndërtimin e garazheve shumëkatëshe.
Marrëveshja do të lidhet për 15 vjet, me qira në vlerë prej 10 për qind të qarkullimit të përgjithshëm të realizuar, dhe me të mundësohet modernizimi dhe rritja e ndjeshme e kapaciteteve për parkim. Në kuadër të përpjekjeve tona për digjitalizim, parashihet monitorim i plotë i parkimit, me vendosjen e tabelave informative dhe një udhëzuesi digjital që do t’i drejtojë qytetarët. Besoj se me këtë risi më në fund do të vendoset rregull në parkim dhe do të përmbushen nevojat e pacientëve dhe të punonjësve në kompleksin e klinikave, theksoi Aliu.
Parashihet gjithashtu rregullim urban dhe hortikulturor i hapësirës me gjelbërim, implementimi i një “sistemi inteligjent parkimi” me sensorë të integruar për detektimin e vendeve të lira, kamera me regjistrim automatik të targave të automjeteve, aplikacion mobil për rezervime dhe pagesa në kohë reale, si dhe lidhje me sistemin fiskal dhe e-qeverisjen.