EN
MK
AL

Aliu–Andonovska: Është formuar shtabi i krizës, rekomandimet janë sipas standardeve më të larta, nuk ka radioaktivitet në ajër

Aliu–Andonovska: Është formuar shtabi i krizës, rekomandimet janë sipas standardeve më të larta, nuk ka radioaktivitet në ajër
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me drejtoreshën e Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Marija Andonovska, në konferencën e përbashkët për shtyp gjatë vizitës në Klinikën për Toksikologji, theksuan se që nga momenti i parë po ndiqet gjendja me zjarrin në fshatin Trubarevë të Shkupit dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente.
"Siç e dini, prej dje, Ministria e Shëndetësisë krijoi një shtab krizash për situatën në Trubarevë, vahdojmë ta ndjekim dhe e kemi ndjekur në kohë reale të gjithë situatën nga këndvështrimi shëndetësor. Sot jemi këtu para Klinikës së Toksikologjisë, ku pati 4 pacientë të hospitalizuar – tre prej tyre u kontrolluan në mënyrë ambulatore dhe u lanë për mjekim në shtëpi, ndërsa pacienti i katërt është ende i hospitalizuar. Të katërt janë jashtë rrezikut për jetën. Me Institutin e Shëndetit Publik dhe me drejtorin e Klinikës së Toksikologjisë janë bërë protokolle për këtë periudhë, nëse paraqitet nevoja të intervenohet në ndonjë drejtim. Siç e dini, ISHP dje doli me rekomandime për qytetarët, të njëjtat rekomandime vlejnë edhe sot.", – deklaroi ministri Aliu.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, theksoi se kjo është një situatë me të cilën qytetarët dhe shteti për herë të parë po përballen, dhe është shumë e rëndësishme të mos politizohet dhe të mos krijohet panik.
"Më e rëndësishmja është që të gjitha institucionet, sipas informatave të mia, janë tashmë të përfshira në të gjithë procesin dhe po koordinohen së bashku. Instituti dha disa rekomandime, ato janë të përgjithshme, por janë në përputhje me standardet e larta botërore. Edhe pse këto rekomandime mund të duken të thjeshta, nëse qytetarët – sidomos ata nga grupet e ndjeshme – i respektojnë, ato mund të ndihmojnë që të mos përballemi me probleme shëndetësore që ndryshe do të mund t’i kishim. Instituti posedon pajisje më modern si dhe profesionistë që në kohë reale na tregojnë nëse ka ndonjë devijim nga parametrat e radioaktivitetit në ajër. Për momentin nuk ka asnjë devijim, as minimal, nga parametrat normalë për radioaktivitet në ajër. Ekipet tona do të dalin në terren pikërisht në vendet e prekura dhe do të kontrollojnë tokën dhe ujin në këto pjesë, dhe gjithsesi se qytetarët do të informohen me kohë.", – përfundoi Andonovska.

Accessibility Menu