EN
MK
AL

Fokus te kapitali njerëzor – forcim i ndjeshëm i stafit shëndetësor në mbarë vendin

Fokus te kapitali njerëzor – forcim i ndjeshëm i stafit shëndetësor në mbarë vendin
Zhvillimi profesional dhe forcimi i burimeve njerëzore përbëjnë pjesë kyçe të qasjes së re në sistemin shëndetësor, të shpallur nga ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Shëndetësia nuk mund të funksionojë pa njerëzit që çdo ditë kujdesen për mbarëvajtjen e saj.
Me këtë qëllim, Ministria e Shëndetësisë, që nga emërimi i ministrit Aliu më 9 qershor, ka nisur një proces intensiv të forcimit të kuadrit në institucionet publike shëndetësore në të gjithë vendin.
Në një periudhë prej pak më shumë se një muaji, tashmë janë realizuar ose janë në fazën përfundimtare mbi 950 punësime nga profile të ndryshme shëndetësore: mjekë, infermierë, laborantë, ndihmës mjekësorë, teknikë, psikologë, punonjës socialë, higjienistë dhe personel tjetër i domosdoshëm.
Procesi do të vazhdojë dhe në ditët në vijim do të hapen procedura të reja për punësime në disa institucione publike shëndetësore në vend.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe funksional, i cili nis me investimin në njerëzit, që janë themeli i tij.

Accessibility Menu