Hapja e ISHP Shtëpia e Shëndetit Shkup – ambulanta Ilinden, në vendbanimin Ilinden.
Më poshtë është fjalimi i plotë i Ministrit Aliu nga eventi i sotëm
I nderuar Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski,
I nderuar Kryetar i Komunës së Ilindenit, z. Aleksandar Georgievski,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, qytetarë të dashur,
Sot së bashku po hapim një kapitull të ri për sistemin shëndetësor në Ilinden.
Shtëpia e re e Shëndetit, e ndërtuar në vendin e ambulancës së vjetër, është një investim që flet për një vepër që do të ofrojë kujdes shëndetësor për mbi 30.000 qytetarë nga kjo komunë dhe ajo fqinje e Petrovecit.
Ne, si Ministri e Shëndetësisë, besojmë se një institucion që synon të jetë funksional dhe të ofrojë shërbime cilësore shëndetësore, duhet të qëndrojë fuqishëm mbi tre shtylla: infrastrukturën, organizimin dhe potencialin njerëzor.
Dita e sotme simbolizon pikërisht atë shtyllën e parë – forcimin e infrastrukturës, si një parakusht për një sistem shëndetësor funksional dhe të qasshëm.
Me një investim prej gjithsej 16 milionë denarësh, prej të cilave 8 milionë denarë janë siguruar nga Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, dhe po aq nga Komuna e Ilindenit, së bashku kemi krijuar një objekt me sipërfaqe prej 600 m², të ndarë në dy kate dhe me 14 ordinanca moderne. Nuk bëhet fjalë vetëm për shifra, por për një hapësirë që do të ofrojë besim, siguri dhe kujdes për shëndetin.
Në këtë objekt të ri, qytetarët do të marrin shërbime cilësore të kujdesit shëndetësor parësor, por edhe shërbime të specializuara shëndetësore, me qasje më të lehtë, duke ulur nevojën për udhëtim jashtë komunës. Me këtë, ne tregojmë se dimë dhe mundemi ta afrojmë shërbimin shëndetësor aty ku nevojitet më së shumti,pranë shtëpisë së çdo qytetari.
Gjithashtu, dëshiroj të theksoj se kjo bashkëpunim mes pushtetit qendror dhe atij lokal është një shembull se si duhet të punohet në mënyrë të bashkuar, të përqendruar dhe të orientuar drejt rezultatit , një rezultat që sjell cilësi dhe përfitime për qytetarët.
falënderoj të gjithë ata që ishin pjesë e realizimit të këtij projekti, veçanërisht Komunën e Ilindenit, Shtëpinë e Shëndetit Shkup, si dhe të gjithë të përfshirët në këtë proces.
Në fund, dua të përcjell një mesazh: shëndetësia nuk është një nocion abstrakt, por një nevojë njerëzore, një detyrim moral dhe një kapacitet institucional.
Sot tregojmë se mund të krijojmë një sistem që shërben, mbron dhe respekton.
Ju faleminderit!