Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut morën pjesë në një takim të rëndësishëm rajonal dyditor, i cili u mbajt në Madrid - Mbretëria e Spanjës, i organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë – Zyra Rajonale për Evropën. Takimi iu kushtua ndërtimit të sistemeve shëndetësore të orientuara drejt mbështetjes së të mbijetuarave nga dhuna ndaj grave dhe vajzave.
Ngjarja mblodhi përfaqësues të ministrive të shëndetësisë, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë nga rajoni evropian, me qëllim forcimin e rolit të sektorit shëndetësor në parandalimin, identifikimin e hershëm dhe reagimin e duhur ndaj dhunës me bazë gjinore.
Në kuadër të takimit u prezantua raporti i OBSH-së “Care, Courage, Change: Health sector leadership in ending violence against women and girls”, i cili thekson nevojën për integrimin e plotë të çështjes së dhunës ndaj grave në politikat kombëtare shëndetësore, sigurimin e qasjes në paketën e shërbimeve bazë shëndetësore, si dhe mbrojtjen e autonomisë, konfidencialitetit dhe dinjitetit të viktimave.
Pjesëmarrja e Ministrisë së Shëndetësisë mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe ndjekjen e rekomandimeve evropiane, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e mëtejshëm të reagimit kombëtar shëndetësor ndaj dhunës ndaj grave dhe vajzave, në përputhje me standardet dhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.