Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi Spitalin e Përgjithshëm në Dibër me rastin e fillimit të pilot-projektit për telemjekësi në fushën e dermatovenerologjisë (teledermatologji), i cili realizohet në relacionin Shkup–Dibër–Dellçevë.
Ministri Aliu theksoi se bëhet fjalë për një reformë thelbësore që ndryshon mënyrën se si pacientët i qasen kujdesit shëndetësor, duke paralajmëruar njëkohësisht zgjerimin e shërbimeve të telemjekësisë edhe në fusha të tjera të shëndetësisë.
“Paralelisht po punojmë në forcimin e infrastrukturës teknike, trajnimin e personelit mjekësor dhe vendosjen e protokolleve të qarta për cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve. Prej sot, pacientët me sëmundje të lëkurës nga Dibra dhe Dellçeva kanë mundësi të marrin diagnozë profesionale dhe rekomandime nga specialistë të Klinikës së Dermatologjisë, pa pasur nevojë për prani fizike, gjë që do të ulë ndjeshëm kohën e pritjes, kostot e udhëtimit dhe ngarkesën e institucioneve shëndetësore në kryeqytet. Teledermatologjia tregon efikasitet të lartë; përvojat tregojnë 60 deri në 90 për qind saktësi në vendosjen e diagnozës, 80 deri në 90 për qind saktësi në përcaktimin e terapisë, dhënien e këshillave dhe edukimit mjekësor, si dhe deri në 98 për qind saktësi në vlerësimin nëse pacienti duhet të referohet në nivel më të lartë dhe sa urgjente është kjo”, tha ministri Aliu.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Dibër, Mersim Koleçi, e përshëndeti fillimin e projektit, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm për institucionin dhe për pacientët e rajonit.
“Ky projekt, i pari i këtij lloji në spitalin tonë, paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Dibrës dhe rrethinës dhe do të angazhohem që në një kohë sa më të shkurtër të zgjerohet edhe me shërbime të tjera, veçanërisht në ato fusha ku mungojnë specialistët”, deklaroi Koleçi.
Drejtoresha e ISHP Klinikës Universitare për Dermatologji, prof. dr. Katerina Damevska, e cila e ndoqi dhe e kontrolloi të gjithë procesin nga Shkupi, theksoi se përvojat me Dibrën dhe Dellçevën janë në përputhje me përvojat e vendeve të zhvilluara, duke shtuar se telemjekësia është efikase, e sigurt, me kosto të ulët dhe rezulton me përvojë pozitive për pacientët.
“Në periudhën e kaluar, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe sistemin ‘Termini Im’, arritëm të zgjidhim pengesat teknike dhe ligjore për suksesin e pilot-projektit. Në përputhje me objektivat e vendosura, pasojnë procese të akreditimit të institucioneve të përfshira, certifikimi i stafit të trajnuar, zgjerimi i teledermatologjisë në të gjithë territorin e Maqedonisë, si dhe bashkëpunimi me Fondin Shëndetësor për financimin e kësaj veprimtarie”, sqaroi prof. dr. Damevska.
Ky pilot-projekt përfaqëson fazën fillestare të një strategjie më të gjerë për transformimin digjital të sistemit shëndetësor, e cila në periudhën në vijim do të përfshijë edhe fusha të tjera mjekësore, si dhe lidhjen e më shumë institucioneve shëndetësore në të gjithë vendin.