EN
MK
AL

Në “Termini im” është aktiv një modul i ri për evidentimin e shërbimeve shëndetësore për personat pa dokumente personale

Në “Termini im” është aktiv një modul i ri për evidentimin e shërbimeve shëndetësore për personat pa dokumente personale
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot iu drejtua të pranishmëve në promovimin e Protokollit për trajtimin e personave pa shtetësi, i organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
 
"Ministria e Shëndetësisë ka një rol të rëndësishëm në situatën e përgjithshme të këtyre personave, duke pasur parasysh se shpesh kontakti i tyre i parë me institucionet nuk ndodh përmes sporteleve administrative, por përmes sistemit shëndetësor. Pikërisht këtu ata bëhen të dukshëm për sistemin. Kontakti i parë i nënave që kanë mbetur pa bazë sigurimi shëndetësor, nënave pa dokument identifikimi dhe foshnjave të tyre të porsalindura ndodh në institucionet tona shëndetësore. Ky është momenti kur këta persona përfshihen për herë të parë në sistemin e mbrojtjes. Në këto momente, sistemi shëndetësor paraqet një urë drejt të drejtave themelore të njeriut. Përmes Programit për nëna dhe fëmijë, i cili financohet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, sigurojmë lindje falas dhe kujdes shëndetësor për këto nëna dhe fëmijët e tyre. Në këtë mënyrë, jo vetëm që shpëtojmë jetë, por edhe vendosim themelet për integrimin e tyre të mëtejshëm në shoqëri”, theksoi ministri Aliu në fjalimin e tij.
 
Ai u ndal gjithashtu te moduli i aktivizuar në sistemin kombëtar elektronik “Termini im” për evidentimin e shërbimeve shëndetësore për personat pa dokumente personale. Personat pa identitet të përcaktuar, të cilët përmes institucioneve kompetente marrin një numër unik identifikimi, përmes këtij moduli mund të njihen në sistemin shëndetësor.
 
Në këtë mënyrë mundësohet krijimi i një dosjeje elektronike shëndetësore, ku evidentohen kontrollet dhe shërbimet shëndetësore që u ofrohen, duke siguruar vazhdimësi të të dhënave dhe një gjurmë institucionale që është e rëndësishme për procedurat e mëtejshme ligjore dhe administrative.

Accessibility Menu