Gjatë vizitës së sotme në Spitalin Klinik të Tetovës, në përgjigje të një pyetjeje të gazetarëve, ministri Aliu informoi se punonjësit e lavanderisë në Qendrën Klinike nga sot janë në vendin e tyre të punës.
“Sot në mëngjes pata një takim me punonjësit e lavanderisë. Ata tashmë po punojnë aty, u dakorduam dhe i informova se është në proces procedura të cilën, para 10 ditësh, Qeveria ma dha mua detyrë si ministër dhe Ministrinë që të filloj negociatat me kompaninë private me të cilën kemi partneritet publik-privat, për të gjetur një zgjidhje. E dini që ky partneritet daton që nga viti 2019 dhe deri tani nuk kemi pasur asnjë rezultat. Tani duhet të shohim nëse pengesa është te proceset administrative, nga ana jonë apo nga ana e partnerit privat. Sido që të jetë, kolegët tashmë nga sot janë në punë dhe do të presim rezultatin, i cili shpresoj të jetë i shpejtë”, deklaroi ministri.