Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot i prezantoi proceset reformuese në mbledhjen e Grupit Sektorial të Punës për Shëndetësinë, që u mbajt në Qeveri.
“Shëndetësia paraqet themelin e një shoqërie stabile, prosperuese dhe demokratike. Qëllimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë një sistem shëndetësor modern, të qëndrueshëm dhe evropian – një sistem që do të jetë efikas në parandalim, i përshtatshëm dhe i shpejtë në diagnostikim, cilësor në trajtim dhe njësoj i qasshëm për të gjithë qytetarët. Vazhdon zbatimi i projekteve IPA II dhe IPA III, përparimi i sistemit kombëtar të transplantimit, si dhe realizimi i investimeve infrastrukturore në sektorin shëndetësor.”,- theksoi ministri Aliu.
Ai potencoi se Ministria ka finalizuar dhe miratuar disa dokumente strategjike me rëndësi afatgjatë për shëndetin publik, ndër të cilat: Strategjinë për Sëmundjet e Rralla, si dokumenti i parë sistemik që përcakton objektiva të qarta për diagnostikimin, trajtimin dhe mbështetjen e pacientëve dhe familjeve të tyre; Strategjinë për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues, e cila forcon qasjen në shërbime cilësore, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjitha kategoritë e popullsisë; si dhe Planin e Veprimit për Parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit mbi shëndetin e popullsisë 2025–2030, që përfaqëson një dokument modern, preventiv dhe ndërsektorial, i përgatitur në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e KE-së dhe OBSH-së.
Në mbledhje morën pjesë përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNICEF-i dhe Banka Botërore, mbështetja e të cilëve është jashtëzakonisht e rëndësishme për avancimin e sistemit shëndetësor dhe harmonizimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian.
“Kjo është një dëshmi e qartë e përkushtimit të përbashkët për përmirësimin sistematik të sektorit shëndetësor dhe për mbështetjen e proceseve reformuese që vendi ynë po i zbaton në rrugën drejt Bashkimit Evropian.”,- theksoi Aliu.