Java Evropiane e Imunizimit, e cila tradicionalisht shënohet çdo vit nga 24 deri në 30 Prill 2022, është moment i mirë për të menduar për rëndësinë e vaksinimit, si një nga themelet e sistemit shëndetësor publik funksional. Këtë vit, Java Evropiane e Imunizimit nxjerr në pah arritjet historike të vaksinimit, duke përfshirë përparimin drejt çrrënjosjes globale të poliomielitit dhe çrrënjosjes rajonale të fruthit dhe rubeolës, si dhe potencialin për arritje edhe më të mëdha, siç është vënia nën kontroll e Hepatitit B dhe eliminimi i kancerit të qafës së mitrës. Qindra mijëra jetë të shpëtuara përmes vaksinimit kundër COVID-19 – dhe vetëm në rajonin evropian të OBSH-së – janë gjithashtu arsyeja për festë.
-Nuk ka dyshim se imunizimi kontribuon për popullatë të shëndetshme.
Derisa punuam për të mbrojtur popullsinë tonë nga COVID -19, mbulimi me vaksina të rregullta ra nën nivelin optimal.Tendenca jonë është që të arrijmë mbulimin e rekomanduar prej 95 për qind, për këtë qëllim në bashkëpunim me qendrat shëndetësore fillojmë me intensifikimin e punës në terren për thirrjen e fëmijëve që janë vonuar për vaksinim. Duhet të shfrytëzohet çdo mundësi për vaksinimin e fëmijëve dhe të rriturve, sipas Kalendarit të Rregullt të Imunizimit, deklaroi Dr. Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Pandemia e COVID-19 ka goditur shumë vende të botës dhe pasojat janë ndjerë, përfshirë edhe në fushën e imunizimit. Në Maqedoninë e Veriut, OBSH-ja dhe UNICEF-i bashkëpunuan me autoritetet shtetërore shëndetësore dhe partnerët në kryerjen e vaksinimit kundër COVID-19 në të gjitha pjesët e vendit dhe për të gjitha grupet e popullsisë. Deri më sot, 46,5% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë marrë dy doza të vaksinave kundër COVID-19, dhe vetëm 8,4% kanë marrë dhe dozën e tretë.
Java Evropiane e Imunizimit është mundësi e shkëlqyer për të falënderuar të gjithë punonjësit shëndetësor që kanë punuar pa u lodhur për të mbrojtur të tjerët përmes vaksinimit. Këto përpjekje nuk do të ndalen derisa të mos mbrohen plotësisht të gjithë ata që plotësojnë kushtet për t’u vaksinuar dhe veçanërisht të moshuarit ende të pavaksinuar, të cilët në fakt janë kategoria më e rrezikuar e qytetarëve përsa i përket formës së rëndë të sëmundjes.
– Vaksinat kanë rëndësi të madhe në historinë tonë dhe veçanërisht në vitet e fundit për shkak të pandemisë. Ata na mbrojnë ne si individë dhe na ndihmojnë të mbrojmë njëri-tjetrin si anëtarë të komunitetit global. Java Evropiane e Imunizimit, këtë vit, shënohet me moton “Jetë
e gjatë për të gjithë”, për qëllim ka të theksojë rëndësinë e qasjes të barabartë dhe më të gjerë ndaj vaksinave, që do të kontribuojë për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme për të gjithë,deklaroi Dr. Ane Johansen. Përfaqësuese Speciale e OBSH-së dhe ushtruese detyre Shefe e zyrës së OBSH-së në Shkup.
Megjithëse shërbimet rutinë të imunizimit ishin të disponueshme gjatë pandemisë COVID-19, kishte disa probleme që ndikuan në uljen e shkallës së vaksinimeve të rregullta për fëmijët gjatë vitit 2020. Vlerat mesatare nacionale në vitin 2021 tregojnë një farë përmirësimi në krahasim me vitin 2020, por përqindjet prej 70.4 të mbulimit të vaksinimit nacional për fruthin, rubeolën dhe shytat (MMR1) për fëmijët e moshës 12 muajsh dhe 80.4 (MMR 2) rivaksinimi është ende larg nga 95% e dëshiruar, që kërkohet për fitimin e imunitetit kolektiv. Për të mbrojtur fëmijët dhe për të parandaluar epidemitë, është thelbësore që çdo fëmije që vonon një vaksinim t’i jepet qasje e lehtë në të, në mënyrë që të mund të marrin dozat e nevojshme.
Falë shkallës së lartë të vaksinimit në të kaluarën, prindërit e sotëm kanë pasur fatin të rriten pa parë anëtarë të familjes ose miq të vdesin ose të kenë paaftësi-invaliditet të përjetshme nga sëmundje të tilla si fruthi ose poliomieliti. Ironikisht, kjo është një nga arsyet pse disa njerëz besojnë se sëmundjet e parandalueshme me vaksina nuk janë më kërcënim. U bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve: Sigurojuni fëmijëve tuaj mbrojtjen që prindërit tuaj në të kaluarën ju kanë siguruar, tha Patricia DiGovanni, Përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut.
Vaksinimi është prioritet kyç dhe përfitim për shëndetin publik. Me vazhdimin e promovimit dhe edukimit përfshirë punonjësit shëndetësorë dhe prindërit, me qëllim rritjen e mbulimit të të gjitha vaksinave në të ardhmen. Të mos lejojmë të prishet tradita e gjatë e vaksinimit të suksesshëm dhe të mos rrezikojmë shfaqjen e sëmundjeve infektive dhe epidemive në vend