BRIFINGU I MINISTRIT MEXHITI ME MEDIAT – PACIENTËT JANË FOKUSI I PUNËS SONË, ANALIZOHEN KUSHTET PËR PËRMIRËSIMIN E SISTEMIT SHËNDETËSOR

 Ministri i Shëndetësisë, Dr. Fatmir Mexhiti, sot ka mbajtur një konferencë me përfaqësues të mediave, ku ka prezantuar prioritetet të cilave do t’u përkushtohet në periudhën e ardhshme.   

 –  Në detyrën e ministrit vij nga qendra klinike, ndaj i njoh nga afër sfidat me të cilat përballen pacientët, prandaj fokusi i punës sonë do të jenë pacientët. Për momentin jemi duke i analizuar kushtet në sistemin shëndetësor dhe të gjitha aspektet në të cilat duhet të fokusohemi për përmirësimin e sistemit. Ne do përpiqemi të jemi sa më transparentë në bashkëpunim me mediat. Të gjithë së bashku mund të kontribuojmë në përmirësimin e kushteve në shëndetësi, theksoi ministri Mexhiti.   

 Një ndër prioritetet e para, të cilin ai e vuri në dukje, është trajtimi i trafikut brenda Qendrës Klinike, në bashkëpunim me njësinë e projektit në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe zgjerimi i listës pozitive me barna të reja, për të cilën tashmë është miratuar Rregullorja.   

– Ne si Ministri zotohemi për avancimin e statusit të punonjësve shëndetësorë dhe mbi të gjitha për ngritjen e pagave të punonjësve shëndetësorë. Për këtë qëllim, në periudhën e ardhshme do të organizojmë takime me të gjitha institucionet kompetente, përfshirë këtu edhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, në mënyrë që bashkërisht të gjejmë një zgjidhje optimale, tha ministri.   

Në konferencën me përfaqësues të mediave mori pjesë zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dr. Maja Manoleva, e cila theksoi se bashkëpunimi me mediat është kyç jo vetëm për zbulimin e sfidave në fushën e shëndetësisë, por edhe për gjetjen e zgjidhjeve të duhura për përmirësimin e sistemit.  

Сподели на:

Related Posts