Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ka zhvilluar sot takim me Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Dr. Hans Kluge, të cilit i ka shprehur falënderim të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme të OBSH-së për ngritjen e kujdesit shëndetësor në vend dhe për përgatitjen e përbashkët të “Udhërrëfyesit me vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Republika e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar që të investojë edhe më tej në reformën shëndetësore dhe ta vazhdojë progresin e bërë më parë, me qëllim të arritjes së standardeve të BE-së. Vendi ynë po shënon përmirësim të ndjeshëm në treguesit e kujdesit perinatal. Viteve të fundit, falë mbështetjes së OBSH-së, shkalla e vdekshmërisë neonatale është ulur nga 6.3 në 2019 në 4.2 në 2020. “Ne vazhdimisht po bëjmë përpjekje për t’i fuqizuar burimet njerëzore dhe kapacitetet e tjera në spitalet kryesore në nivel rajonal”, tha në takim ministri Sali.
Gjatë takimit, fokus i veçantë u vu në përballjen me sukses të pandemisë COVID-19, duke qenë se lufta kundër virusit është sfidë e përbashkët për të gjitha vendet dhe ajo kërkon unitet, solidaritet dhe partneritet.
Në të njëjtën kohë, ministri shprehu falënderim të veçantë ndaj OBSH-së për mbështetjen e dhënë gjatë realizimit të studimeve në lidhje me mbrojtjen financiare të shëndetësisë, COVID-19 dhe barazisë shëndetësore, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin në mënyrë që të përgatisë më me sukses politika të bazuara në fakte.
Në takim u diskutua edhe për aktivitetet e planifikuara që synojnë parandalimin e faktorëve të rrezikut për sëmundjet jo të transmetueshme dhe përforcimin e skriningut të sëmundjeve jo të transmetueshme, kujdesin parësor shëndetësor, avancimin amësor, si dhe shëndetin perinatal e atë mendor.
/**
*/