Ministria e Shëndetësisë publikon analizën e të vaksinuarve, nga rastet pozitive me Covid-19, në periudhën nga 6 gusht deri më 9 shtator. Të vaksinuar janë personat që janë vaksinuar me dy doza dhe kanë kaluar të paktën 14 ditë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës. Në periudhën nga 06.08 deri në 09.09.2021 në territorin e vendit 26,053 qytetarë janë pozitivë nga ata të testuar në Covid 19, nga të cilët 19% ishin plotësisht të vaksinuar, pra 5,175 persona. Ekziston një numër i madh i qytetarëve të pavaksinuar që u infektuan me Covid-19.
Sipas statistikave për pesë javët e fundit, 20.878 qytetarë, apo edhe 80% e atyre pozitivë me Covid-19 nuk ishin të vaksinuar. Përqindja e personave të shtruar në spital që nuk janë të vaksinuar është 84%, ndërsa vetëm 16% e të gjithë pacientëve të shtruar aktualisht janë plotësisht të vaksinuar.
Vdekshmëria tek të pavaksinuarit është në mënyrë drastike më e lartë, tregon analiza. Në një periudhë prej pesë javësh në territorin e vendit ndërruan jetë 678 persona me Covid 19, 591 pacientë (87%) e të vdekurve nuk ishin të vaksinuar, dhe vetëm 87 (12%) ishin të vaksinuar. Sipas analizës, të ndjerët kishin disa sëmundje kronike të kombinuara. Të infektuarit dhe të ndjerët ishin të vaksinuar me vaksinat që kemi në dispozicion, si dhe me vaksinat Moderna dhe Xhonson & Xhonson që disa nga pacientët i kanë pranuar jashtë vendit.
Ministria e Shëndetësisë thekson rëndësinë e vaksinimit, çdo vaksinë që kemi në dispozicion është e sigurt, zvogëlon mundësinë e sëmundjes, parandalon sëmundjet e rënda dhe mbron nga vdekja. Ministria e Shëndetësisë apelon që qytetarët të vaksinohen, vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë imunitet kolektiv dhe do të parandalojmë përhapjen e mutacioneve SarsKov2.