Në bazë të informacioneve të meteo-alarmit të Drejtorisë për Çështje Hidrometeorologjike, në katër ditët e ardhshme – nga e enjtja e deri të dielën (21-24.07.2022), territori i gjithë vendit do të përfshihet nga temperatura të larta të fazës së portokalltë dhe në këtë periudhë do të vlejnë rekomandimet për uljen e rrezikut nga temperaturat e larta, kjo në pajtim me planin aksionar të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit ndaj shëndetit të popullatës.
Në këtë periudhë, duke filluar nga e enjtja (21.07), të gjitha regjionet e vendit –i Shkupit, i Osogovës-Maleshevës, i Pellagonisë dhe i Ohrit-Prespës – do të hyjnë në fazën e portokalltë, me ç’rast gjendja e valës së të nxehtit fillon të vlejë në gjithë territorin e Republikës.Andaj, me qëllim që të mbrohet shëndeti i popullatës, Ministria e Shëndetësisë i jep këto rekomandime:
1. Lirimi nga detyrimet e punës për grupet më të lëndueshme të popullatës, siç janë gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.
2. Në institucionet e kujdesit të fëmijëve (çerdhe) të mos zhvillohet aktivitet fizik dhe fëmijët të mos nxirren në hapësirë të hapur në periudhën nga ora 11 deri në orën 17.
3. Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe qendrat e punës sociale në regjionet e përfshira nga vala e të nxehtit të ofrojnë ndihmë për personat e moshuar, të pafuqishëm dhe për të pastrehët.
4. Duke e pasur parasysh faktin se disa procese të rrezikshme prodhuese dhe teknologjike mund të shkaktojnë rrezik shtesë ndaj shëndetit të punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u tërhiqet vërejtja për respektimin e dispozitave ligjore të kësaj fushe.
Rikujtojmë se popullata në periudhën verore duhet t’i respektojë masat e përgjithshme për mbrojtje të shëndetit, siç janë:
– Gjatë ditëve ekstremisht të nxehta të qëndrojë në hapësira të mbyllura(me kondicioner), ndërsa nëse gjatë kësaj periudhe është e detyruar të qëndrojë në hapësirë të hapur, të gjendet mundësi për pushime më të shpeshta nën hije.
– Të mbahet veshje e lehtë dhe me ngjyrë te çelët, ndërsa në rast të ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, mbani syze mbrojtëse, e në rast të rrezitjes, të përdoret krem me faktor të lartë të mbrojtjes.
– Të konsumohet më pak ushqim, rëndom pemë dhe perime, si dhemë pak ushqim të yndyrshëm.
– Të merren sasi më të mëdha të lëngjeve, më së miri ujë i thjeshtë i pijshëm, si dhe të evitohen pijet alkoolike.
– Të ajroset makina para se të ngjitemi në të.
– Personat me sëmundje kronike ta marrin me rregull terapinë e përcaktuar në konsultim me mjekët familjarë.
Për shkak të temperaturave të larta dhe mundësisë së rritur për helmim me ushqim dhe sëmundje infektuese të zorrëve, rekomandohet: larja e perimeve dhe pemëve të freskëta para konsumimit; përgatitja termike e ushqimit dhe konsumimi i tij sa më shpejt pas gatimit, si dhe evitimi i prodhimeve të papërpunuara termike.