Maqedonia e Veriut është bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që miraton zyrtarisht planin NAPZB, duke siguruar që sistemi shëndetësor i vendit mund të mbrojë qytetarët e tij nga kërcënimet e sëmundjeve. Kjo do të ndihmojë në avancimin e sigurisë shëndetësore në vend duke angazhuar partnerë, duke ofruar burime dhe duke ndërtuar kapacitete për të zbatuar Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR) – kuadri global për koordinimin e menaxhimit të emergjencave të shëndetësisë publike.
Plani kombëtar i miratuar është zhvilluar nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë dhe përfaqësues nga ministri dhe departamente të ndryshme. OBSH ofroi mbështetje teknike të vazhdueshme direkte dhe Bashkimi Evropian e mbështeti me ndihmë financiare. Në një përpjekje të përbashkët shumë-sektoriale, më shumë se 40 aktorë kryesorë nga sektorë të ndryshëm janë mbledhur për të mbështetur zhvillimin e planit dhe për të përdorur qasjen NAPZB, e cila është e një rëndësie vendimtare për zgjidhjen e aktiviteteve prioritare për forcimin e kapaciteteve për sigurinë shëndetësore kombëtare.
“Miratimi i këtij plani është një hap i rëndësishëm përpara në forcimin e përkushtimit tonë për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”, tha dr. Ilir Demiri, ministër i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, në fjalimin e tij në takimin në Shkup, ku NAPZB u prezantua zyrtarisht, së bashku me autoritetet kombëtare, aktorët kryesorë socialë dhe mediat.
-Na bën krenarë që udhëheqim përpjekjet për të adoptuar qasjen NAPZB në rajon,” shtoi ai, duke theksuar se “ne jemi mirënjohës për përkushtimin dhe punën e palodhur të ekipit tonë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjithë kolegëve nga e gjithë bota, nga të gjithë sektorët, si dhe OBSH-së për mbështetjen e saj të palëkundur për një sistem shëndetësor më të përgatitur dhe rezistent për vendin tonë në të ardhmen.