Ministri i Shëndetësisë, Dr. Fatmir Mexhiti, ndodhet për vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar, ku dje pati një takim me përfaqësuesin special të kryeministrit të Britanisë së Madhe për tregtinë me Ballkanin Perëndimor, Martin Vikers, shefi operativ i “Grupit Ndërkombëtar të Spitaleve” (IHG) Simon Ashvort dhe Zëvendës Shefi i Shëndetësisë (Infrastrukturë, Edukim dhe Trajnim) në Departamentin e Biznesit dhe Tregtisë, David Shepard.
Në fokus të takimit ishte planifikimi i aktiviteteve të radhës për ndërtimin e Qendrës së re Klinike Universitare. Do të formohet një grup pune i përbërë nga përfaqësues të disa ministrive që do të kenë përgjegjësi të ndryshme në lidhje me projektin dhe hapi i rradhës që do të ndërmerret është rishikimi i studimit të fizibilitetit tashmë ekzistues.
Në takim u diskutua për sfidat dhe prioritetet aktuale, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore, si dhe për iniciativat dhe projektet në fushën e shëndetësisë. Të dyja palët shprehën interesim për planifikimin e edukimit shëndetësor dhe shkëmbimit të personelit shëndetësor mes dy vendeve.
Mexhiti shprehu mirënjohje të madhe për mbështetjen e deritanishme nga Mbretëria e Bashkuar dhe theksoi se është e një rëndësie të veçantë, trajnimi i stafit tonë për të punuar sipas metodologjisë së fundit në disa fusha të mjekësisë.
Përkushtimi personal i Vickers përmes angazhimit të tij dhe vizitave që ai bën në rajon, do të jetë forca shtytëse për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar.